Fed pritet të injorojë Trump – Presidenti kërkon ulje të interesave dhe lehtësim sasior
Rezerva Federale në SHBA, nën presion nga Donald Trump për të ulur normat e interesit, pritet të mos ndryshojë kostot e huamarrjes në takimin e këtij muaji. Trump, i cili ka akuzuar bankën qendrore për përplasjen me politikat e tij për të nxitur ekonominë, shkroi në Twitter se institucioni qendror duhet të ulët normën bazë të interesit me 0.5% dhe të rishikoi programin e lehtësimit sasior që injektoi triliona dollar në ekonomi pas krizës financiare.
Zyrtarët e Fed ndodheshin në mes të takimit dy-ditorë të politikave kur komentoi Trump. Kjo këshillë e pazakontë ka gjasa të injorohet nga Rezerva Federale që gjykon se normat e interesit ndodhen në nivelin e duhur.
Qeveria e SHBA raportoi javën e kaluar se ekonomia u rrit me një normë vjetore prej 3.2% në tremujorin e parë, duke surprizuar zyrtarët e Fed që prisnin një ngadalësim. Tregu i punës në SHBA shtoi 200,000 punonjës në muajin Mars, çka vërteton se tkurrja monetare e bankës nuk ka penguar ekonominë.
Ndërkohë që nuk ka një arsye të qartë se pse të ulë normën bazë të interesit në këtë fazë, takimi i kësaj jave i bankës do të fokusohet në sinjalet e reja që do të japë. Rezerva Federale rriti 4 herë normën bazë të interesit vitin e kaluar, duke e çuar në segmentin 2.25-2.5%. Pas rritjes së fundit në muajin Dhjetor, banka u përball me kritika të forta nga Trump.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.