Fermerët: Fara e skaduar na nxori specat “të devijuar”

Pas alarmit për përdorim të simulantëve hormonalë në perimet e stinës, një tjetër problem është shfaqur në disa fshatra të Fierit.
Fermerë të zonave të ndryshme ngrenë shqetësimin se po blejnë farëra të skaduara dhe të pakontrolluara. Një situatë e tillë i ka vënë ata përballë faktit të falimentit.
Sipas tyre, të gjitha farat e specave që kanë blerë në Lushnje, por edhe në tregje të vogla në Fier, janë shkak që ata të mos marrin prodhim të shëndetshëm, por prodhim të devijuar, raporton “Panorama”.
Këto perime të deformuara në dukje, sipas fermerëve nuk i blen askush pasi duken që në sy si perime hibride dhe të dëmtuara.
“Disa herë ne kemi ngritur zërin se hormone nuk janë problemi i vetëm në bujqësi. Ne që duam të punojmë ndershëm por nuk na mundëson Ministria e Bujqësisë akses.
Aktualisht, neve na shiten farëra të pakontrolluara dhe të skaduara. Me hektarë të tërë të mbjellë me këto perime të stinës, ne nuk e shesim dot, sepse konsumatori nuk e merr diçka që në sy duket e shëmtuar ose mendojnë se janë me hormone.
Disa herë në thonë që këtë spec e ka zënë sëmundja. Në fakt, s’kanë sëmundje sepse ne i spërkasim në kohë dhe u bëjmë të gjitha shërbimet me kujdes. Është fara ajo që nxjerr këtë prodhim”, shprehet njëri nga fermerët e fshatit Suk1 në zonën e Roskovecit.
Një problem i tillë e ka lënë këtë vit sipas tyre, dhjetëra dynym tokë të mbjellë por të pa shitur. “Ne nuk duam para por duam të kontrollohen farërat, se distributorët e mëdhenj të shitjes po pasurohen e ne po dalim në rrugë të madhe”, ka vijuar një tjetër banor nga Strumi.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.