Fitimi i Ryanair rritet me 55% – Gjiganti “low-cost” paralajmëron rivalët për ulje të tarifave
Gjiganti “low-cost”, Ryanair raportoi një rritje me 55% në fitimin për tremujor, ndërkohë që porositë e mëdha për verën kanë zgjeruar të ardhurat. Megjithatë, kompania paralajmëroi se vendosja e çmimeve do të jetë tejet konkurruese në pjesën tjetër të këtij viti, për shkak të mbi kapacitetit.
Të ardhurat neto u rritën në 397 milionë euro në tremujorin e dytë të 2017-ës, krahasuar me 256 milionë euro, që ishin në të njëjtën periudhë një vit më parë. Analistët projektonin një shifër prej 342 milionë euro për linjën ajrore “low-cost” më të madhe në Europë.
Ryanair projekton se, të ardhurat neto për vitin fiskal 2018 do të jenë në 1.45 miliardë euro, në rritje nga 1.32 miliardë që ishin në vitin e kaluar. Megjithatë, kompania irlandeze paralajmëroi edhe rivalët se do të ulë tarifat e udhëtimeve për fundin e verës me gati 9%, duke shtuar se disa mund të mos i përballojnë dot çmimet në atë nivel. “Porositë tona janë të mëdha, por konkurrenca është e fortë. Ka pasur mbikapacitet për vende si Spanja, Portugalia, Lindja e Mesme, Tunizia dhe Turqia”, tha kreu i Financave i firmës me seli në Dublin, Neil Sorahan.
Rivalët e tjerë “low-cost”, EasyJet dhe Wizz Air kanë paralajmëruar gjatë javëve të fundit se nivelet mesatare të tarifave do të vazhdojnë të jenë nën presion në periudhën e verës. Aksionet e kompanisë irlandeze ranë me 3.4%, në 17.44 euro, në hapje të sesionit tregtar europian.
Vlera në treg e Ryanair është rritur me gati 21% për këtë vit, duke prekur 21 miliardë euro. EasyJet, firma “low-cost” e dytë më e madhe në Europë, ra me 6% në vlerë tregu prej kërcënimit nga tarifat e ulëta. Ryanair paralajmëroi se çmimet e ulëta të naftës do të vazhdojnë të rrisin kapacitetin dhe të ulin të ardhurat për pasagjer.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.