FMN paralajmëron G20 – Nënvizon rreziqet ndaj ekonomisë globale përpara takimit
Rritja ekonomike globale duhet të arrijë në 3.5% këtë vit edhe tjetrin, megjithatë, liderët duhet të adresojnë disa cënueshmëri financiare, deklaroi Fondi Monetar Ndërkombëtar përpara takimit të G20.
“Pas një periudhe të gjatë të kushteve të favorshme financiare, përfshirë normat e ulëta të interesit dhe aksesin e lehtë në kreditim, niveli i levës financiare në shumë ekonomi në zhvillim mbetet tepër i lartë”, tha kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde.
Ajo shtoi se bilancet e bankave në Europë bartin ende goditjen e krizës financiar, ndërsa në Kinë, nëse ekonomia vazhdon të rritet prej kreditimit masiv, borxhi publik dhe privat do të bëhet i paqëndrueshëm.
Pavarësisht se fondi pohon se rreziqet në terma afat-shkurtër janë larguar, perspektiva në afat-mesëm është ende e pasigurt. Një nga rreziqet është pasiguria politike, kryesisht në SHBA, ku administrata ka premtuar reduktime të taksave dhe rritje të shpenzimeve në infrastrukturë, nënvizon fondi.
“Sipas hulumtimeve tona, pabarazia e lartë ekonomike, rritja e ngadaltë e produktivitetit, popullsia në plakje dhe diferencat gjinore, përbëjnë sfida që limitojnë ekonominë, duke e bërë më të vështirë për të rritur të ardhurat dhe standardet e jetesës”, tha Lagarde.
FMN i bëri thirrje liderëve të G20-ës, përpara takimit të së Premtes në Gjermani, që të fuqizojnë sistemet e tyre bankare dhe përmirësojnë rregullatorët, pasi në SHBA, po kërkohet heqja e rregullores Dodd Frank, të prezantuar pas krizës financiare.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.