FMN për Kosovën – Sektori i sigurimeve, “primitiv”, me humbje në 65%
Në raportin e plotë të rishikimit të dytë dhe të tretë të programit me Kosovën, Fondi Monetar Ndërkombëtar nënvizon se, qeveria e vendit i ka përmbushur të gjitha kriteret, si ato kyç, ashtu edhe ato shtesë.
Madje, nënvizon Fondi, me një hendek të theksuar. Gjithsesi, institucioni shton se i vetmi kriter i përmbushur indikativ, është ai që i referohet shpenzimeve në 0.2% të PBB gjatë Dhjetorit, e që dështoi për shkak të shpenzimeve mbi pritshmëritë për veteranët e luftës.
Institucioni me bazë në Washington nënvizon gjithashtu se, tashmë nuk është opozita pengesa e më e madhe e vendit, por përplasjet mes dy partive të koalicionit.
Këtu nënvizohet se, këto mosmarrëveshje po pengojnë disa ligje, dhe kryesisht atë të demarkacionit me Malin e Zi, që vlerësohet si kushti kryesor për liberalizimin e vizave me Bashkimin Europian.
Rimëkëmbja ekonomike vijon, thekson FMN, duke u përshpejtuar në 3.6% gjatë 2016-ës, duke marrë shtysë nga kërkesa e fortë e brendshme, rritja e kreditimit, remitancave, si dhe përshpejtimi i hapit për ndërtimin e projekteve të mëdha infrastrukturore, si ai i korridorit 6, që lidh Prishtinën me Shkupin.
Sektori bankar nga ana tjetër mbetet në shëndet të mirë, ndërkohë që kreditimi është rritur, vijon Fondi Monetar Ndërkombëtar. Institucioni rekomandon hapa të mëtejshëm në sektorin e sigurimeve, kur 15 kompanitë që operojnë në këtë sektor ofrojnë shërbime jo-jete, motorike.
Katër prej tyre janë të nënkapitalizuara, ndërkohë që në total, të 15 kompanitë raportojnë një humbje totale prej 65%.
Gjithsesi, vijon fondi, sektori i sigurimeve në Kosovë është mjaft i vogël, duke zënë vetëm 3% të totalit të aseteve financiare, çka do të thotë se, performanca negative nuk përbën rrezik për sektorin financiar apo ekonominë.
Ekonomia e Kosovës sipas fondit, do të rritet me 3.5% gjatë këtij viti dhe 3.6% vitin e ardhshëm.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.