Fuqizohet ekonomia japoneze – Rritet me 4% në T2 prej kërkesës së fortë të brendshme
Ekonomia e Japonisë është rritur me ritmin më të shpejtë në më shumë se 2 vite për tremujorin e dytë, ndërkohë që shpenzimet konsumatore dhe të kompanive janë përshpejtuar, duke treguar për një rimëkëmbje të kërkesës së brendshme.
Ekonomia e tretë më e madhe në botë u rrit me një normë vjetore prej 4%, sipër projeksioneve dhe duke treguar periudhën më të gjatë të rritjes në një dekadë.
Aktiviteti pritet të vazhdojë përmirësimin gjatë pjesës tjetër të vitit, duke dhënë sinjale për Bankën e Japonisë se tregu i fortë i punës po fillon të nxisë shpenzimet konsumatore, gjë që mund të rrisë inflacionin drejt objektivit të institucionit.
Krahasuar me tremujorin e parë, ekonomia u rrit me 1%, nga 0.6% që ishin pritshmëritë.
Ekonomia japoneze është mbështetur kryesisht nga eksportet e forta më herët gjatë vitit, pavarësisht shenjave të përmirësimit të konsumit privat. Deri më tani, ekonomia ka treguar rritje për 6 tremujorë radhazi, duke treguar periudhën më të gjatë të rritjes që prej vitit 2005.
Konsumi privat, që përbën për 2/3-ën e Produktit të Brendshëm Bruto, u rrit me 0.9% nga tremujori i kaluar. Shpenzimet kapitale u rritën me 2.4% gjatë periudhës, dy herë më shumë se pritshmëritë.
Kjo është rritja më e madhe e investimeve të bizneseve që prej vitit 2014, ndërkohë që kompanitë kanë shpenzuar më shumë në software dhe pajisje për ndërtim.
Megjithatë, performanca pozitive nuk ka gjasa të sjellë ndryshimin e politikave monetare nga Banka e Japonisë, ndërkohë që inflacioni vazhdon ende i dobët.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.