G7, Padoan zbardh axhendën – Përfshirja sociale, siguria kibernetike dhe SHBA

“Rritja ekonomike pa përfshirjen sociale, nuk është e qëndrueshme”, deklaroi ministri italian i ekonomisë, Pier Carlo Padoan në hyrje të takimit të G7-ës që zhvillohet aktualisht në Bari.
“Rritja përfshirëse është në qendër të axhendës sonë”, shtoi ai.
Sa i përket Greqisë, Padoan nënvizoi se, nuk është në axhendë. Qeveria italiane ndërkohë ka propozuar edhe tre çështje të tjera që do të jenë në fokus të bisedimeve mes ministrave të financave dhe autoriteteve të tjera nga 7 vendet më të industrializuara të globit.
Këto çështje përfshijnë taksën e webit, sigurinë kibernetike, dhe luftën ndaj terrorizmit.
Ndër të tjera, Padoan deklaroi gjithashtu, se ministrat do të diskutojnë edhe për impaktin e planit të ri të taksave të administratës amerikane, duke shtuar se ai personalisht nuk shikon arsye për shqetësim.
Siç dihet tashmë, tregtia e lirë nuk do të jetë në fokus të bisedimeve të G7-ës, duke thyer një traditë të hershme. Në fund të muajit Maj, në datat 26 dhe 27 maj, liderët e 7 vendeve më të industrializuara të globit do të takohen në Taormina.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.