Gati paketa e re e Trump, ul taksën mbi biznesin me 20%
Donald Trump ka urdhëruar bashkëpunëtorët e tij që të Mërkurën të bëjnë gati planin më ambicioz të tij, të propaganduar edhe gjatë fushatës elektorale, atë të uljes së taksës së ndërmarrjeve, nga 35% aktualisht, në 15%.
Donald Trump kërkon me cdo kusht që ky premtim të realizohet sa më shpejt. Premtimi për uljen e taksave ndaj biznesit, sëbashku me premtimin për të nxitur shpenzimet në infrastrukturë ishin dy faktorët kyç që nxitën marshimin e tregjeve pas fitores së Donald Trump nëntorin e kaluar.
Ky premtim përkthehet në 2000 miliardë dollarë më pak në arkat e shtetit amerikan gjatë 10 viteve të ardhshme.
Pikërisht kjo llogari shifrash e bën tepër të vështirë për kongresin që të kalojë një propozim të tillë, pavarësisht se kontrollohet nga republikanët.
Nuk dihet ende nëse pjesë e paketës së re fiskale do të jetë edhe taksa kufitare, mbi importet e disa vendeve aleate, e paralajmëruar më parë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.