Gjermania hap “thesin” – Do të rrisë shpenzimet qeveritare me 40 mld euro

Qeveria gjermane kërkon që të rrisë shpenzimet vjetore me rreth 40 miliardë euro deri në vitin 2021, krahasuar me vitin e kaluar, duke ruajtur në të njëjtën kohë një buxhet të balancuar, thuhet në një dokument të ministrisë së financave në vend, të zbuluar pjesërisht nga Reuters.
Ekonomia më e madhe e Europës është në zgjerim prej 6 vitesh me radhë. Të ardhurat nga taksat, në një normë rekord, e kanë lejuar ministrinë e financave që të rrisë shpenzimet në infrastrukturë dhe në akomodimin e refugjatëve.
Pavarësisht kësaj, Gjermania ka arritur të regjistrojë një suficit buxhetor prej 15 miliardë euro gjatë vitit të kaluar.
Plani i ri i Wolfgang Scha4uble do të aprovohet në qeveri javën e ardhshme dhe do të kalojë në dhomën e ulët të Bundestagut pas zgjedhjeve të përgjithshme të 24 Shtatorit, me shpenzimet që rriten me 39.7 miliardë euro, në 356.8 miliardë në total në vitin 2021.
Gjatë fushatës elektorale, Schaeuble ka bërë vazhdimisht thirrje për më shumë shpenzime, pasi sipas tij, Gjermania nuk po investon mjaftueshëm. Pjesa dërrmuese e shpenzimeve shtesë do të shkojnë në transport, edukim dhe kërkim.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.