Gjermania “kufizon” Turqinë – Përdor influencën me institucionet ndërkombëtare për të kufizuar financimin

Qeveria gjermane përdor influencën me institucionet ndërkombëtare të zhvillimit për të kufizuar financimin drejt Turqisë, për shkak të mosmarrëveshjeve politike mes dy vendeve.
Gjermania po përpiqet që të ndërpresë financimin drejt Turqisë nëpërmjet bankës shtetërore, “Kreditanstalt für Ëiederaufbau” (KfË), Bankës Europiane të Investimeve dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, tregojnë dhjetëra zyrtarë të qeverisë dhe bankave. Disa banka tregtare në Gjermani, po rivlerësojnë gjithashtu ekspozimin ndaj Turqisë.
Ndërsa asnjë prej institucioneve nuk kanë ndërmarrë ndërprerjen formale të fondeve, ato kanë vendosur kufizime më të ashpra. Kjo përfshin veçanërisht financimin për kompanitë që shihet se kanë influencë nga qeveria turke.
Reduktimi i ekspozimit ndaj Turqisë vjen në një kohë të përkeqësimit të marrëdhënieve mes dy qeverive, ndërkohë që kancelarja gjermane Angela Merkel lajmëroi javën e kaluar se do të shkurtojë financimin e përpara-anëtarësimit në Bashkimin Europian për Turqinë. Kjo është vetëm një pjesë e “ndarjes” së Turqisë me aleatët perëndimorë, përfshirë konfliktin e datës 8 Tetor me Shtetet e Bashkuara.
Gjermania është partneri më i madh ekonomik deri më tani i Turqisë, ndërkohë që tregtia mes vendeve arrit në një vlerë prej 36 miliardë dollarësh vitin e kaluar. Qeveria gjermane po vëzhgon me detaje zhvillimet politike dhe ligjore në Turqi, bëri të ditur Ministria e Financave në një deklaratë për Bloomberg.
Pas raportimit, lira turke ra me gati 2.1% kundër euros, duke u tregtuar në 4,4650. Indeksi i bankave në Turqi ra me 0.8% dhe interesat e borxhit 10-vjeçar në lira u rrit me 18 pikë bazë në 11.9%, që është niveli më i lartë që prej Janarit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.