Gjermania vazhdon në vrull – Porositë për mallrat “Made in Germany” rriten në 2 muaj radhazi

Porositë industriale në Gjermani janë rritur për të dytin muaj radhazi në Shtator, nxitur nga kërkesa e fortë nga vendet e Eurozonës për mallra kapitale përfshirë makineritë dhe automjetet. Të dhënat konfirmojnë se ekonomia do të vazhdojë vrullin në muajt që vijnë.
Kontratat për mallrat “Made in Germany” u rritën me 1% për Shtatorin, nga 4.1% që ishin në Gusht, duke thyer lehtë projeksionet për një rënie me 1.5%.
Ekonomistët thonë se industria po luan një rol të rëndësishëm në rritjen e ekonomisë dhe pritet të japë kontribut pozitiv në tremujorin e katërt.
Të dhënat treguan se porositë brenda vendit ranë me 0.1% ndërsa nga klientët e Eurozonës pati një rritje me 6.3%. Kjo erdhi prej rritjes së kërkesës për mallra kapitale, me porositë në Eurozonë për këtë kategori që u rritën me 14.1%.
“Porositë kanë fituar vrull nga niveli i lartë që ishte në muajin Gusht”, deklaroi ministria e ekonomisë.
Ekonomia më e madhe e Europës u rrit me 0.7% në tremujorin e parë, ndjekur nga një normë prej 0.6% në të dytin, nxitur nga rritja e shpenzimeve shtetërore dhe investimet e mëdha të bizneseve.
Të dhënat për Produktin e Brendshëm Bruto për tremujorin e tretë priten më 14 Nëntor. Qeveria ka vlerësuar se ekonomia do të rritet me 2% këtë vit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.