Greqia zgjat me 1 javë karantinën. Rastet janë stabilizuar, do të hapen dyqanet e Krishtlindjes
Greqia ka zgjatur deri më 14 Dhjetor karantinën kombëtare të vendosur muajin e kaluar, që synon të përmbajë rritjen e rasteve të reja me koronavirus, sipas zëdhënësit të qeverisë, Stelios Petsas. Karantina, që është e dyta në vend që kur nisi pandemia, është zgjatur me 1 javë.
“Ka një stabilizim dhe rënie të rasteve me Covid-19, por me një normë më të ngadaltë se ç’pritej”- tha ai. Greqia ka regjistruar në total 109,655 raste me koronavirus, dhe 2,186 vdekje, me pjesën veriore të vendit që është goditur më rëndë dhe spitalet që ndodhen në kapacitet të plotë. Masat e karantinës pritej fillimisht të përfundonin më 30 Nëntor, por qeveria i zgjati ato më 7 Dhjetor dhe i shtyu tashmë me 1 javë tjetër.
Petsas tha se dyqanet sezonale, që shesin produkte për Krishtlindje, do të rihapen javën e ardhshme, ndërkohë që afron sezoni i pushimeve. Autoritetet greke kanë premtuar se vaksina do të disponohet përpara së të përfundojë viti, por me furnizime relativisht të ulëta në muajt e para.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.