Hapet ura me distancën rekord midis Evropës dhe Azisë!
Presidenti turk Tajip Erdogan inauguroi një urë masive në ngushticën e Dardaneleve të Turqisë që përbën projektin e fundit në lidhje me infrastrukturën për të cilën ai ka vendosur prioritete gjatë dy dekadave në pushtet.
Duke lidhur brigjet evropiane dhe aziatike të Turqisë, Ura e Çanakalasë e vitit 1915 u ndërtua nga firma turke dhe koreano-jugore me një investim prej 2.5 miliardë euro (2.8 miliardë dollarë). Ajo ka distancën më të madhe në botë sa i përket kullave midis urave të varura.
Mega projekte të tilla kanë qenë në qendër të vëmendjes së presidentit turk që nga viti 2002 kur ai erdhi në pushtet, ku ndër të tjera projekte ishte edhe ai i tuneleve hekurudhore nën ngushticën e Bosforit, si dhe ndërtoi në Stamboll një aeroport të ri.
“Këto vepra do të vazhdojnë të ofrojnë fitim për shtetin për shumë vite,” tha Erdogan në një ceremoni hapjeje në përvjetorin e fitores detare osmane në 1915 kundër forcave franceze dhe britanike në Dardanele gjatë Luftës së Parë Botërore.
“Këto projekte kanë një peshë të madhe për ta çuar vendin tonë përpara në investime, fuqi punëtore dhe eksporte”, tha ai.
Vitin e kaluar ai nisi atë që më parë e quajti “projektin e tij të çmendur”: një kanal 15 miliardë dollarë në Stamboll që synonte të lehtësonte presionin në ngushticën e ngarkuar të Bosforit. Megjithatë kritikët kanë vënë në pikëpyetje zbatueshmërinë e projektit duke pasur parasysh problemet ekonomike të Turqisë, rreziqet mjedisore dhe kundërshtimin publik./CNN
V.G/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.