Industria italiane, e brishtë – Rritet prodhimi në mars, por në rënie për 3-mujorin

Prodhimi industrial në Itali u rrit me 0.4% gjatë muajit Mars, tregojnë të dhënat e fundit të zyrës së statistikave në vend. Këto të dhëna rezultojnë lehtë mbi projeksionet. Rritja prej 0.4% në terma mujor ndërkohë shënon edhe një ngadalësim të hapit të rritjes, që në muajin Shkurt fiksohej në 1%.
Por ndërkohë që të dhënat e marsit janë pozitive, zhgënjejnë ato të tremujorit, që flasin për një rënie të prodhimit industrial me 0.3% në krahasim me tremujorin paraardhës, duke i dhënë fund dy tremujorëve me radhë në rritje, kjo vjen si pasojë e rishikimit në territor negativ të shifrës së rritjes në tremujorin e fundit të vitit 2016, në 1.1% rritje.
Tradicionalisht, prodhimi industrial në Itali tregon një lidhje mjaft të ngushtë me rritjen e prodhimit të brendshëm bruto. Aktiviteti i manifakturës gjatë Marsit u rrit me hapin më të shpejtë në 6 vite, tregon një anketë e fundit.
Nga ana tjetër, Banka e Italisë projekton një rritje ekonomike prej vetën 0.2% gjatë tremujorit të parë të këtij viti, ndërkohë që të dhënat zyrtare do të publikohen më 16 maj.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.