Infermierët, në betejën me Covid-19, ICN: Përballen me mbilodhje, shqetësime psikologjike dhe diskriminim
Këshilli Ndërkombëtar i Infermierëve bëri të ditur se shumë infermierë që kujdesen për pacientët me Covid-19 po vuajnë nga mbilodhja, shqetësimet psikologjike dhe disa prej tyre përballen me abuzim apo diskriminim jashtë punës. Federata e mbi 130 shoqatave të infermierëve deklaroi se furnizimet me pajisje të mbrojtjes personale për infermierët dhe punëtorë të tjerë të shëndetësisë është e pamjaftueshme.
“Jemi jashtëzakonisht të shqetësuar mbi shëndetin mendor të infermierëve”,- tha kreu ekzekutiv i ICN, Howard Catton. Ai tha se sondazhi i fundit nga shoqatat kombëtare të infermierëve tregon se mbi 70% e tyre kanë raportuar dhunë apo diskriminim jashtë pune dhe si pasojë, ndodhen në presion të madh psikologjik.
Punëtorët e shëndetësisë janë përballur me një serë çështjesh që ndikojnë shëndetin mendor, përfshirë abuzim fizik dhe verbal. Federata ka bërë thirrje për mbrojtje më të madhe dhe kushte të sigurta të punës për infermierët, që ndodhen në vijën e parë të luftës me pandeminë.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.