Inflacioni në Eurozonë – Rritet me 1.5%, poshtë vlerësimeve, papunësia bie në 8.8%
Inflacioni në Eurozonë është rritur poshtë projeksioneve në muajin Nëntor, duke treguar se rritja e çmimeve në bllokun e valutës së përbashkët qëndron e dobët. Të dhënat mbështesin planin e Bankës Qendrore Europiane në heqjen graduale të stimujve. Inflacioni në Eurozonë u rrit me 1.5% në Nëntor, nga 1.4% që ishte në muajin e kaluar, duke mos arritur projeksionet në 1.6%. Objektivi i BQE qëndron në pranë 2%-shit.
Rritja e indeksit të çmimeve erdhi kryesisht prej çmimeve më të larta në energjisë, në rritje me 4.7% këtë muaj nga 3% që u rritën në Tetor. Çmimet e ushqimeve të papërpunuara u rritën me 2.4%, nga 2.8% që ishin muajin e kaluar. Duke i hequr këto komponent të luhatur, inflacioni bazë qëndroi i pandryshuar në 1.1%, megjithatë sipër projeksioneve për një rritje me vetëm 1%.
Muajin e kaluar, BQE ndërmorri hapin e parë drejt heqjes së stimujve monetarë në Eurozonë duke bërë të ditur se nga Janari e tutje, do të blejë vetëm 30 miliardë euro obligacione në muaj, nga 60 miliardë që blen aktualisht. Të dhëna të tjera nga Eurostat, treguan se rritja e fortë ekonomike ka ndihmuar në ulje ne papunësisë në nivelin më të ulët që prej Janarit 2009. Norma e papunësisë ra në 8.8% të fuqisë punëtore, apo në 14.34 milionë persona në Tetor, nga 8.9% që ishte në Shtator.
Problemi i Bankës Qendrore Europiane është se ndërsa rajoni ka krijuar 7 milionë vende pune që prej ditëve më të këqija të krizës, ekziston ende mosshfrytëzimi i plotë i fuqisë punëtore, duke limituar rritjen e pagave dhe inflacionin.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.