Itali, rekord borxhi – Fryhet me 20 mld euro në 1 muaj, arrin në 2260 mld euro
Borxhi publik i Italisë ka prekur një rekord të ri. Të dhënat e fundit të publikuara nga Banka Qendrore në vend tregojnë se, borxhi i administratës publike preku gjatë Marsit shifrën e 2260 miliardë eurove, në rritje me plot 20 miliardë euro në krahasim me Shkurtin.
Ky është niveli më i lartë që prej muajit korrik të vitit 2016. Po gjatë Marsit, Banka Qendrore flet edhe për një rekord të ardhurash, në 28.6 miliardë euro. Gjatë së njëjtës periudhë të një viti më parë, të ardhurat fiksoheshin në 27.8 miliardë euro.
Gjatë tremujorit të parë të këtij viti ndërkohë, të ardhurat vlerësohen në 92 miliardë euro, në rritje me 2.7% në krahasim me tremujorin e parë të 2016-ës.
Fryrja e borxhit publik ndërkohë vjen si pasojë e rritjes së nevojës për financim të administratës publike, çka vjen si pasojë e tkurrjes së disponibilitetit të thesarit për likuiditet.
Të gjithë pjesën e shtuar të borxhit e merr administrata qendrore, ku rritja fiksohet në 20.3 miliardë euro, ndërkohë që për administratën lokale ra me 200 milionë euro.
Italia është një ndër vendet me normën më të lartë të borxhit publik në Eurozonë dhe shpeshherë është përplasur me Bashkimin Europian mbi këtë çështje. Komisioni Europian kërkon medoemos që Roma zyrtare të ndërmarrë masa konkrete dhe reforma strukturore që të nxisin uljen e borxhit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.