Italianët e vetëm që do gëzohen nga Botërori – Shtëpia botuese e ngjitëseve me futbollistë pret rritje të ardhurash
Të kaltrit nuk do të marrin pjesë në këtë botëror pasi u mposhtën në raundin eliminator nga Suedia. Pavarësisht se Italia do të bëjë një mungesë në këtë turne, disa italianë do të dalin të lumtur në përfundim të kampionatit në Rusi.
Një nga të paktët është Fabrizio Melegari, drejtori editorial i shtëpisë botuese Panini, e cila prodhon ngjitëse me fotot e futbollistëve të çdo kombëtareje që merr pjesë në event. “Fansi brenda nesh sigurisht që u godit fort. Por nga këndvështrimi komercial, nuk po e prek fare biznesin tonë”, shprehet Melegari.
Të ardhurat e kompanisë rriten sa herë që ka një botëror, teksa fëmijët, dhe shpesh edhe prindërit, blejnë me qindra ngjitëse për t’i vendosur në albume. Libri me 80 faqe jepet falas, por ngjitëset shiten për një çmim prej 1 dollarësh për një paketë prej 5 copësh.
Shkollat dhe sheshet e lojërave në Europë dhe Amerikën Latinë kthehen në vende ankandesh, ku fëmijët shkëmbejnë figurat që u duhen për të plotësuar albumin.
Edhe nëse je shumë me fat dhe nuk të bie asnjë lojtar dy herë, kostoja për të përfunduar albumin me 681 ngjitëse do të ishte rreth 150 dollarë, por shumica përfundojnë duke paguar mbi 300 dollarë, edhe pse shkëmbejnë lojtarë me shokët.
Panini është vetëm një nga mijëra kompanitë që ushqejnë konkursin ndërkombëtar çdo katër vite. Prodhuesit e artikujve sportivë si Adidas, Nike dhe Puma gjithashtu raportojnë rritje të ndjeshme shitjesh nga fanellat dhe këpucët e ekipeve të zemrës. Nga botërori mbështeten edhe prodhuesit e orave si Hublot, i cili është sponsor zyrtar, si dhe McDonalds, e cila ofron promocione lidhur me eventin.
Megjithatë, askush nuk varet aq shumë nga botërori sa Panini. Për vitin 2014 shitjet arritën në 758 milionë euro, për t’u kthyer në normalitet në 2015 me 522 milionë euro. Gjatë Kupës së Botës, forca punëtore e kompanisë prej 1100 punonjësish rritet me rreth 20%. Deri para se të jetë luajtur topi i parë i kampionatit, kompania do të ketë shitur mbi 90% të ngjitëseve të saj.
Kompania e ka bërë këtë gjë që prej vitit 1961, kur për të ngjitur figurat e Serisë A duhet të kishe vetë ngjitës. Albumin e parë të botërorit Panini e nxori në vitin 1970 për kampionatin e Meksikës. Por për të ulur varësinë, vitet e fundit ka shtuar gjithmonë e më tepër albume me ngjitje të personazheve të Disney, Harry Potter apo Njeriut Merimangë.
Sa i takon pamundësisë së Italisë për t’u kualifikuar këtë vit, koleksionuesit shprehen se kjo do ta bëjë albumin e Paninit edhe më të vlefshëm, pasi është hera e parë që ekipi nuk merr pjesë në botëror që prej vitit 1958. Për Melegarin është thjesht biznes: “Në të kaluarën ne kemi publikuar albume botëroresh pa Francën, pa Anglinë. Në ato vende kjo nënkuptonte shumë, por në përgjithësi mungon gjithmonë një ekip i madh”.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.