Jehona e Brexit te bizneset – Largimi i Nissan, humbje e madhe. Shqetësime në të gjithë sektorët
Dalja pa marrëveshje e Britanisë mund të shkaktojë dëme të mëdha ndaj ekonomisë, ndërkohë që shqetësimet në vend po kthehen gradualisht në realitet. Brexit mund të sjellë dëme të mëdha në prodhim, investime dhe vende të punës, ndërkohë që Mbretëria e Bashkuar po has vështirësi në përfundimin e negociatave brenda afatit të 29 Marsit. Gjiganti i industrisë së makinave, Nissan, hodhi poshtë planet për të ndërtuar modelin e ri X-trail në Britani, pikërisht prej shqetësimeve të daljes pa marrëveshje. Ministri i Biznesit në Britani, Greg Clark, e përshkroi planin e Nissan si një goditje të madhe për rajonin.
“Është një goditje e madhe, për shkak se prodhimi i X-trail në Britani ishte një lajm shumë i mirë, një krijim i 700 vendeve të punës në një nga fabrikat më të suksesshme. Kam punuar shumë për këtë, e punëtorët gjithashtu, dhe largimi i Nissan përbën një goditje në industrinë e makinave dhe për të gjithë ne që e humbëm.”
Industria e makinave në Britani, që përbën një punëdhënës të madh në vend, po kthehet në një viktimë të Brexit. Prodhimi i makinave ka rënë në nivelin më të ulët në 5 vite dhe investimet janë përgjysmuar, sipas shoqatës tregtare të industrisë motorike (SMM). Kreu ekzekutiv i shoqatës Mike Hawes, tha se dalja pa marrëveshje do të jetë një katastrofë.
Për sektorin e shitjeve me pakicë, ekzekutivët e rrjeteve kryesore të supermarketeve, kanë paralajmëruar për zbrazjen e rafteve dhe rritjen e çmimeve në rast të Brexit pa marrëveshje. Gjiganti i bankar në Britani, Barclays, ka kaluar thuajse 200 miliardë dollarë aktive në filialin irlandez. Furnizimi me barna mund të pësojë gjithashtu goditje, sipas të dhënave të Qeverisë, pasi 75% ilaçeve që përdoren në sistemin e shërbimit shëndetësor publik janë të importuara nga BE apo vende të tjera.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.