Juncker kundër Berlinit – “Jo propozimit, sfida numër një është unioni bankar”

Presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker deklaroi se është kundër propozimit të Gjermaninë për të kushtëzuar në të ardhmen fondet e përbashkëta europiane me respektimin e rregullave nga vendet anëtare.
Në një kohë që Bashkimi Europian po reformohet pas largimit të Britanisë, qeveria gjermane ka propozuar ngrirjen e fondeve për vendet që dështojnë të përmbushin rregullat.
Për këtë gjë, Juncker i pyetur nga gazetarët, deklaroi se: “Jam i mendimit që, nuk duhet ta bëjmë këtë gjë”, duke shtuar se, “një procedurë e tillë do të ishte si një helm për kontinentin”.
Për Jean Claude Juncker, Komisioni Europian ka mënyra të tjera për të bërë të qartë se, solidariteti nuk është një rrugë me një drejtim. Numri një i krahut ekzekutiv të Bashkimit Europian nënvizoi gjithashtu se, çështja më urgjente për t’u përballur tani është krijimi i tregut të përbashkët të kapitalit dhe unionit bankar, brenda vitit 2019.
Thellimi i bashkëpunimit në Eurozonë, mund të vijë vetëm më pas, shtoi ai.
“Ne nuk duhet të fokusohemi shumë në këtë drejtim tani”, deklaroi Juncker, duke shtuar se, propozimet e Komisionit Europian në mesjavë për një buxhet dhe ministër të përbashkët financash kanë për qëllim që të çelin debatin.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.