Kina “hap” tregun e borxhit – “Bond Connect” do të lidhë investitorët e huaj me tregun prej $9trln
Kina dhe Hong Kongu kanë nisur një lidhje të tregtimit të titujve të borxhit, gjë që sjell tregun e tretë më të madh të borxhit në botë më afër portofoleve të investitorëve ndërkombëtarë.
Skema e quajtur “Bond Connect”, do të lejojë manaxhuesit e huaj të fondeve që të tregtojnë në borxhin qeveritar, të agjencive dhe korporatave prej 9 trilionë dollarë të Kinës, pa patur nevojën që të krijojnë llogari brenda vendit.
Më shumë se 295 milionë dollarë tituj borxhi u blenë në 22 minutat e para të tregtisë. Bankat ndërkombëtare treguan mbështetjen për skemën, me HSBC, Standard Chartered, BNP Paribas dhe Citigroup që ishin të parat për të përfunduar tregti duke përdorur skemën.
Në linjë me rregullat e huaja të aksesit, investitorët e jashtëm përfshirë fondet e pensioneve dhe fondet e pasurive sovrane, do të pranohen për të tregtuar obligacionet qeveritare, lokale dhe borxhin e korporatave nëpërmjet “Bond Connect”.
Tregtia do të jetë e kufizuar ndaj investitorëve institucionalë dhe nuk do të përfshijë fondet mbrojtëse.
Kjo lidhje e tregtisë do të rrisë ofertën e aktiveve të denominuara në juan që mund të zotërohen nga investitorët globalë, ndërkohë që Pekini përpiqet të ndërkombëtarizojë valutën.
Sipas Standard Chartered, flukset hyrëse neto drejt tregut të borxhit kinez mund të arrijnë 14.8 miliardë dollarë deri në fund të këtij viti nëpërmjet skemës.
Kina është përpjekur të rrisë pjesëmarrjen e huaj në tregun e borxhit të vendit, që është i treti më i madh më botë, pasi zotërimet e huaja qëndronin në më pak se 2%.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.