Kina mohon komentet e Trump – “Tarifat e SHBA nuk po largojnë kompanitë. Investimet janë shtuar”
Investitorët e huaj kanë qëndruar optimist për Kinën, sipas Ministrisë së Jashtme, pas komenteve të presidentit Donald Trump se tarifat e tij po shkaktojnë daljen e kompanive nga ekonomia e dytë më e madhe në botë. Trump tha në një intervistë ditën e Diel se tarifat ndaj mallrave kinezë po bëjnë që kompanitë të zhvendosin njësitë e prodhimit jashtë Kinës, në Vietnam dhe vende të tjera aziatike.
Deri më tani, nuk janë planifikuar bisedime tregtare mes vendeve që prej datës 10 Maj, ku Trump rriti tarifat ndaj 200 miliardë dollarë mallrave kinezë. Trump e mori këtë vendim pasi Kina kërkoi ndryshime të mëdha të marrëveshjes tregtare. Ministria e Jashtme e Kinës, deklaroi se investitorët e huaj janë ende optimist për Kinën.
Sipas deklaratës, kompani si Tesla, BASF dhe BMW, kanë rritur investimet së fundmi në Kinë. Sipas politikëbërësve, Kina do të vazhdojë të përmirësojë kushtet e bizneseve dhe investimeve për kompanitë e huaja.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.