“CLO”, instrumenti i ri i “rrezikshëm” – Powell: Nuk ngjason me krizën e vitit 2008, por kërkon kujdes
Kryetari i Sistemit Bankar Qendror në SHBA, Jerome Powell, hodhi poshtë krahasimet mes rritjes aktuale të borxhit të bizneseve dhe kushteve të tregut të kredive hipotekore gjatë krizës financiare, por paralajmëroi se duhet kujdes. Gjatë një konference të Rezervës Federale në Atlanta, Powell tha se krahasimet me vitet përpara krizës financiare nuk janë bindëse. Sipas guvernatorit, rritja e borxhit po vjen në linjë me rritjen ekonomike, kostot e shërbimit janë të ulëta dhe sistemi financiar ndodhet në një pozitë më të mirë për të përballuar humbjet.
Megjithatë, ai theksoi mungesën e transparencës mbi burimet e financimit dhe zotëruesit përfundimtar të borxhit të korporatave si dhe rrezikun e përkeqësimit ekonomik, nëse huamarrësit nisin të dështojnë. “Borxhi i korporatave ka arritur në atë nivel që duhet t’i japë arsye bizneseve dhe investitorëve që të ndalojnë dhe të reflektojnë”, tha Powell, ndërkohë që huamarrja e korporatave qëndron në një nivel rekord të lartë prej 35% të aktiveve të tyre. Kryetari i Rezervës Federale tha se pavarësisht se rritja e borxhit korporativ është ngadalësuar së fundmi, rreziku i një rritjeje të shpejtë mund të shtojë ndjeshëm cënueshmëritë.
Kjo përbën një burim tjetër shqetësimi për bankën qendrore për të ulur interesat, pasi kostot më të ulëta të huamarrjes do të nxisnin firmat të marrim më shumë borxh. Ndër shqetësimet kryesore të bankës mbi stabilitetin financiar, është kthyer niveli i lartë i borxhit korporativ dhe huadhënia drejt personave me profil të ulët të kreditit. Megjithatë, Powell tha se nuk e sheh borxhin e bizneseve në të njëjtin nivel të rrezikut sistemik që kishte tregu i kredive hipotekore gjatë krizës.
Krahasimet janë nxitur prej popullaritetit të një instrumenti (CLO), që mbledh kreditë e korporatave dhe i titullizon në letra me vlerë. Pavarësisht se kjo ngjan me instrumentin (CDO) që përhapi kreditë e këqija hipotekore drejt sistemit financiar, Powell tha se instrumenti i ri (CLO), është shumë më i sigurt. Powell tha se përbën lajm të mirë fakti që vetëm 90 miliardë dollarë nga 700 miliardë dollarë që është tregu i kredive të mbuluara me kolateral (CLO), mbahet nga bankat e mëdha tregtare.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.