Kina Trumpit: Nuk duam një luftë tregtare. Por nëse do të ketë, do të humbasësh

Kryeministri kinez Li Keqiang ka folur në një konferencë për shtyp, e cila i paraprin takimit me sekretarin amerikan të shtetit Rex Tillerson. Pavarësisht tensioneve për vendet e punës, kursit të këmbimit dhe çështjeve të sigurisë, Keqiang i shpreh pozitiv për të ardhmen e marrëdhënieve me SHBA.
“Shpresa jonë është se pavarësisht pengesave që mund të hasë rrugës kjo marrëdhënie, do të vijojë të lëvizë përpara në një drejtim pozitiv”, tha kryeministri kinez.
Sipas tij, dy vendet kanë shumë interesa të përbëshkatë dhe duhet të ulen e të diskutojnë për to. Sipas Keqiang, diplomatët e dy vendeve janë duke punuar për një takim mes presidentit Xi Jinping dhe Donald Trump.
Sa i përket marrëdhënieve tregtare kryeministri kinez tha se kishte hasur në një artikull nga një media autoritative ndërkombëtare, duke lënë të nënkuptohej edhe qëndrimi i tij.
“Në artikull thuhej se nëse do të lindte një luftë tregtare mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, do të ishin kompanitë amerikane në veçanti, të cilat do të mbanin barrën kryesore”, tha Li Keqiang.
Por, analistët shprehen se pavarësisht politikës agresive të Kinës, ajo është me e varur nga tregtia me SHBA-në si përqindje e PBB-së dhe shumicën e suficitit tregtar e ka prej Amerikës. Kështu që është e natyrshme që retorika kineze të mbetet tek tregjet e hapura.
Sa i përket çështjeve territoriale, Li Keqiang u shpreh se politika “një-Kinë” është themelore dhe nuk mund të shkelet.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.