“Koordinim botëror për të mposhtur Covid” – OBSH i bën thirrje liderëve të G20 për financim dhe barazi të vaksinave
Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Ghebreyesus, bëri thirrje për një bashkëpunim boëtëror për të mposhtur Covid-19, duke theksuar se fuqitë e tregut dhe marrëveshjet 2 palëshe, nuk po mbyllin hendekun në barazi. Gjatë një deklarate në Gjenevë, Tedros tha se numri botëror i rasteve dhe vdekjeve të raportuara nga Covid, po rritet për të parën herë në 2 muaj, nxitur nga infeksionet në Europë. Tedros tha se kjo rikujton se pandemia e Covid-19 është ende larg një fundi. Ai lajmëroi një plan të ri për programin e aksesit tek mjetet e Covid-19, me një buxhet prej 23.4 miliardë dollarë, për të arritur objektivat botërore dhe dërguar mjetet që i duhen vendeve në 12 muajat e ardhshëm. Sipas tij, financimi i plotë i programit, është i rëndësishëm për të kontrolluar pandeminë. Drejtori i përgjithshëm tha se liderët e vendeve të G20 kanë mundësinë për të bërë angazhimet politike dhe financiare që duhen për t’i dhënë fund pandemisë dhe parandaluar krizat në të ardhmen.
“Kam 3 kërkesa për liderët e G20. Fillimisht, financim i plotë i programit të aksesit tek mjetet e Covid. Së dyti, mbështetni krijimin e një rrjeti për sigurinë shëndetësore në botë, përmes një traktati të detyrueshëm ligjorë, të përgatitshmërisë ndaj pandemive. Dhe së treti, mbështetni krijimin e një Bordi të Financimit të Kërcënimeve Shëndetësore”, u shpreh Tedros Ghebreyesus, drejtori i OBSH.
Shefja Shkencore e Organizatës, Soumya Sëaminathan, tha se numri i dozave të treta që po administrohet në botë, në pranë 1 milionë në ditë, është thuajse 3 herë më i madh se sasia e vaksinave që po jepen në vendet me të ardhura të ulëta, në 330,000 doza në ditë.
“Gjashtëdhjetë e dy vende kanë nisur administrimin e dozave nxitëse dhe më shumë po e konsiderojnë. Organziata Botërore e Shëndetësisë kishte bërë thirrje për një moratorium ndaj dozave të treta deri në fund të vitit, në mënyrë që këto vaksina të shkonin tek vendet që kanë një normë mbulimi poshtë 4-5%”, u shpreh Shefja shkencore e OBSH Soumya Sëaminathan
OBSH deklaroi se aksesi i pabarabartë tek testet, trajtimet dhe vaksinat, po zgjat pandeminë kudo në botë dhe rrezikon shfaqjen e varianteve të reja, më të rrezikshme.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.