Kosto e importit të ushqimeve / FAO: Pritet rritje rekord në botë, që do të kërcënojë vendet e varfëra
Kostot e importit të ushqimeve në të gjithë botën pritet të rriten në nivele rekord këtë vit, duke shtuar presionet tek shumë vende të varfëra që kanë pësuar goditje ekonomike nga pandemia, sipas Agjencisë Ushqimore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (FAO). Këto kosto të larta mund të vazhdojnë për një periudhë të pasigurtë, ndërkohë që thuajse të gjithë lëndët e para bujqësore janë bërë më të shtrenjta, ndërkohë që trendi rritës në tregun e energjisë, mund të rrisë kostot e prodhimit tek fermerët, sipas Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO). “Problemi qëndron tek vendet e cenuara”- tha Josef Schmidhuber, zv/drejtor i njësisë së tregut tek Organizata. “Fatura” botërore e importit të ushqimeve, përfshirë kostot e transportit, pritet të arrijë 1.714 trilionë dollarë këtë vit, në rritje me 12% nga 1.530 trilionë dollarë në 2020-n, sipas raportit 6-mujor të Organizatës mbi “Perspektivën Ushqimore”. Ndërkohë që rritja e tregtisë në bujqësi gjatë pandemisë tregoi elasticitetin e tregjeve ndërkombëtare, rritja e çmimeve që prej fundit të 2020-s po rrit rrezikun për disa vende të varura nga importet. Vendet e cilësuara si me “të ardhura të ulëta dhe defiçit ushqimor” nga Organizata, pritet të shohin një rritje të kostove të importit të ushqimeve me 20% këtë vit, dhe ekonomitë varura nga turizmi do jenë në pozitë veçanërisht të vështirë. Këto presione në rritjen e çmimeve kanë bërë që vende prodhuese si Argjentina dhe Rusia të vendosin barriera në eksporte.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.