Kredia nuk është aq e shtrënguar / Sistemi bankar miraton 87% të aplikimeve për kredi
Sistemi bankar miraton 87% të aplikimeve për kredi. Bankat me kapital shqiptar dhe ato më të mëdha kanë përqindjen më të ulët të refuzimit.
Sipas shifrave të fundit, bankat shqiptare kanë refuzuar vetëm 7.4% të aplikimeve për kredi, ndërsa bankat e huaja kanë refuzuar një përqindje gati dy herë më të lartë, me 14.1%. Në veçanti për aplikimet e individëve, shkalla e refuzimit në bankat me kapital të huaj është edhe më e lartë dhe arrin në 17.4%.
Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se vitin e kaluar sistemi bankar dha rreth 260 miliardë lekë kredi të re. Te individët, kredia pësoi një rënie të lehtë, me 1.3%. Ndërsa segmenti më problematik edhe për vitin e kaluar ishte biznesi, ku kredia e ra pësoi rënie me afërsisht 8%.
Sistemi bankar shqiptar miraton 87% të aplikimeve për kredi. Banka e Shqipërisë ka nisur një vrojtim me bankat tregtare, për të krijuar një ide më të saktë rreth ecurisë së kërkesës dhe ofertës për kredi. Bankat raportojnë çdo 6-mujor informacion lidhur me numrin total të aplikimeve për kredi të marra, duke i klasifikuar në aplikime të pranuara, të refuzuara dhe në shqyrtim. Mbi bazën e të dhënave, është analizuar ecuria e numrit të aplikimeve të bizneseve dhe individëve të marra në shqyrtim nga bankat gjatë periudhave përkatëse, si një tregues që përafron kërkesën e tregut për kredi bankare.
Gjithashtu, është ndërtuar dhe analizuar norma e refuzimit të kredive për secilën periudhë, si një tregues i disponueshmërisë së sektorit bankat për t’iu përgjigjur kësaj kërkese. Kjo normë është llogaritur si raport i numrit të aplikimeve për kredi të refuzuara nga banka, ndaj numrit total të aplikimeve të marra në shqyrtim, gjatë periudhës përkatëse. Për gjysmën e dytë të vitit të kaluar, rezultoi se 87% të aplikimeve u miratuan, vetëm 11% u refuzuan, ndërsa 2% ishin në proces shqyrtimi.
Këto shifra tregojnë se shtrëngimi i kredisë bankare nuk duket të jetë në përmasat e perceptimit të krijuar vitet e fundit. Norma e refuzimit, në fakt, është rritur lehtë gjatë vitit të kaluar, por është ndjeshëm më e ulët krahasuar me nivelin e vitit 2016, kur Banka Qendrore nisi të mblidhte informacione për vrojtimin.
Bankat shqiptare janë më “dorëlëshuara”
Të dhënat e zbërthyera tregojnë se luhatjet e shkallës së refuzimit mes bankave dhe grupeve të klientëve janë të konsiderueshme. Për bankat vendase, norma e refuzimit të kredisë është ndjeshëm më e ulët krahasuar me bankat e huaja, për të gjitha kategoritë e klientëve. Sipas shifrave të fundit, bankat shqiptare kanë refuzuar vetëm 7.4% të aplikimeve për kredi, ndërsa bankat e huaja kanë refuzuar një përqindje gati dy herë më të lartë, me 14.1%. Në veçanti për aplikimet e individëve, shkalla e refuzimit në bankat me kapital të huaj është edhe më e lartë dhe arrin në 17.4%.
Një faktor që ka shumë ndikim është edhe përmasa e bankës ku aplikohet për kredi. Bankat e vogla, me më pak se 2% pjesë tregu, kanë një shkallë shumë të lartë të refuzimit të aplikimeve, që arriti në 41.5% vitin e kaluar. Ndërkohë, për bankat e mëdha të sistemit (me pjesë tregu më të madhe se 7%), norma e refuzimit është shumë më e ulët, me vetëm 8.7%. Norma e refuzimit për bankat e mëdha është luhatur në vlerat 4%-9% për të tre kategoritë e klientëve. Në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, vërehet një prirje e lehtë rënëse për bizneset një rritje e lehtë e shkallës së refuzimit për segmentin e individëve.
Sipas llojit të klientëve, shkalla më e ulët e refuzimit është në segmentin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, me 8.3%, ndërsa shkalla më e lartë për ndërmarrjet e mëdha, me 16.1%.
Biznesi, më pak kërkesë për kredi
Vrojtimi gjithashtu jep një ide më të qartë rreth ecurisë së kërkesës së ekonomisë për kredi bankare. Vitin e kaluar, sektori bankar ka marrë rreth 100 mijë aplikime për kredi, në rënie me 2.2% krahasuar me vitin 2017. Ndërsa tek individët aplikimet janë rritur, mes ndërmarrjeve ato kanë rënë ndjeshëm, me 13% më pak. Gjatë vitit të kaluar, bizneset kryen rreth 10,200 aplikime për kredi në sistemin bankar.
Këto shifra tregojnë se kredidhënia vazhdon të ketë probleme në krahun e kërkesës, sidomos kur bëhet fjalë për bizneset.
Kredia e re u tkurr me 3.3% për vitin 2018
Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se vitin e kaluar sistemi bankar dha rreth 260 miliardë lekë kredi të re. Krahasuar me vitin 2017, portofoli i kredisë së re ra me rreth nëntë miliardë lekë ose rreth 3.3%. Te individët, kredia pësoi një rënie të lehtë, me 1.3%. Ndërsa segmenti më problematik edhe për vitin e kaluar ishte biznesi, ku kredia e ra pësoi rënie me afërsisht 8%.
Rënia ishte më e theksuar te kredia në euro. Për bizneset, kredia në euro ra me 11%, ndërsa për individët rënia ishte edhe më e thellë, me 13%. Rënia më e thellë e kredisë në euro i detyrohet pjesërisht edhe kursit të këmbimit. Vitin e kaluar, monedha europiane humbi rreth 5% të vlerës në kursin e këmbimit me lekun.
Duke qenë se shifrat e kredisë në statistika raportohen në lekë, kursi i këmbimit është një faktor me efekt të konsiderueshëm. Por, rënia e kredisë në euro shtrihet dukshëm edhe përtej efektit të kursit të këmbimit. Individët dhe bizneset po preferojnë më shumë huanë në monedhën vendase. Arsyeja kryesore duhet kërkuar te ulja e normave të interesit. Deri para pak vitesh, normat e interesit për kredinë në euro kanë qenë ndjeshëm më të ulëta në raport me lekun.
Kjo i shtynte shumë familje dhe sipërmarrje të kërkonin hua në euro, duke marrë përsipër edhe rrezikun e kursit të këmbimit. Euro ngelet edhe sot më e lirë për të marrë hua, por, tashmë diferencat në normat e interesit janë ngushtuar. Vitin e kaluar, interesi mesatar për kreditë e reja në lekë ishte 6.6%.
Bie kredia jashtë vendit
Mbiçmimi i lekut dhe ndikimi i Bankës së Shqipërisë kanë ulur kreditimin e bankave shqiptare jashtë vendit për vitin 2018. Mbështetur në të dhënat e raportit të stabilitetit financiar, kredia për jo-rezidentët ra me 7% gjatë vitit të kaluar dhe në fund të dhjetorit kishte vlerën e 60 miliardë lekëve. Kredia për jo-rezidentët është në pjesën dërrmuese në euro, ndërsa për qëllime statistikore ajo raportohet në lekë.
Për vitin 2018, leku u mbiçmua me rreth 5% ndaj euros, ndaj, në pjesën më të madhe, rënia e vlerës së kredisë jashtë vendit i detyrohet këtij faktori. Por, gjithashtu, gjatë vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë ka kërkuar nga ato pak banka që kanë një portofol për jo-rezidentët që ta frenojnë huadhënien jashtë vendit. Në veçanti, në segmentin e biznesit, kredia për jo-rezidentët ka rënë me 11%.
Në analizat e Bankës së Shqipërisë, rritja e shpejtë e këtij portofoli shtron rreziqe të lidhura me vështirësitë për të ndjekur performancën e huamarrësve, por edhe me probleme të juridiksionit dhe kuadrit ligjor për mbledhjen dhe rikuperimin e kredive. Megjithatë, raporti i kredive me probleme në segmentin e jo-rezidentëve deri tani është relativisht i ulët. Në fund të vitit të kaluar, ky tregues ishte 5.2% ose afërsisht sa gjysma e raportit mesatar të kredive me probleme të sistemit bankar.
Kredia për jo-rezidentët është e përqendruar sidomos te banka më e madhe në vend, BKT. Kjo përfshin edhe një portofol të konsiderueshëm të degës së saj në Kosovë. Por, nga 1 janari i këtij viti, dega e BKT në Kosovë vepron si bankë e ndarë dhe, rrjedhimisht, portofoli i saj i kredisë nuk pritet të klasifikohet më si kredi e sistemit bankar shqiptar për jo-rezidentët. Në fund të vitit 2018, portofoli i BKT – Kosovë kishte vlerën e 283 milionë dollarëve ose rreth 31 miliardë lekëve. Kjo vlerë përfaqëson më shumë se gjysmën e kredisë për jo-rezidentët të dhënë nga sistemi bankar shqiptar.
Ersuin Shehu / SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.