Kuroda thyen “heshtjen” – “Proteksionizmi nxit pabarazinë në të ardhura”

“Pabarazia nuk do të tkurret duke mohuar tregtinë e lirë dhe duke mohuar proteksionizmin, e kundërta është e vërtetë”, deklaroi Haruhiko Kuroda, guvernatori i Bankës së Japonisë në çelje të punimeve të G7-ës në Bari. Besoj se për këtë çështje jemi të gjithë në konsensus, shtoi Kuroda.
Deklaratat e tij vijnë pavarësisht se tregtia e lirë nuk është përfshirë në axhendën e bisedimeve të ministrave të financave të 7 vendeve më të industrializuara të globit.
Ndërkohë që gjatë takimit të marsit të G20-ës liderët e lanë thuajse tërësisht pa përmendur tregtinë e lirë, duke shkaktuar një reagim të ashpër. Lënia jashtë bisedimeve të një çështje kaq delikate vjen pas presionit të sekretarit amerikan të thesarit, Steve Mnuchin, i cili kërkon që tregtia të jetë më shumë e drejtë sesa e lirë.
“Frenimi i inovacionit teknologjik, ndalimi i globalizimit dhe retorika proteksioniste nuk janë zgjidhja. Ne avancojmë me inovacionin dhe tregtinë e lirë si themel i ekonomisë për një shpërndatrje më të barabartë të pasurisë. Për këtë, na duhet rritja ekonomike”, nënvizoi Kuroda.
Pabarazia ose përfshirja sociale është tema kryesore e diskutimeve në Bari.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.