Kuvendi i Kosovës miratoi tre marrëveshje financiare ne vlerën 158 mln euro

Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën plenare të saj ka aprovuar ratifikimin e 3 marrëveshje financiare në vlerë prej 158 milionë euro, ku përshihen marrëveshjet të cilat kanë negociuar paraprakisht me Qeverinë e Francës, Qeverinë e Hungarisë, Qeverinë e Austrisë, si dhe ka miratuar Ratifikimin e Garancisë Shtetërore me BERZH-in për Linjën e Dytë Kreditore për Fondin për Sigurimin e Depozitave të Kosovës, në vlerë prej 24 milionë euro.
Ministri i Financave Avdullah Hoti në prezantimin e këtyre Marrëveshjeve para deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në lidhje me Projektligjin për Ratifikimin e Protokollit Financiar në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës Franceze, dhe të Marrëveshjes për Hua për zbatimin e këtij Protokolli ndërmjet Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesit të Qeverisë Franceze – NATIXIS, bëri të ditur se “Ky Projektligj Ratifikon Protokollin financiar në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Francës të 5 korrikut të vitit të kaluar, të nënshkruar në takimin e Kryeministrave të dy vendeve në Paris, si dhe Ratifikon Marrëveshjen për hua për zbatimin e këtij Protokolli ndërmjet Ministrisë së Financave dhe të përfaqësuesit të Qeverisë Franceze – NATIXIS, e cila parasheh financimin e projektit të trajtimit të ujërave të zeza në Komunën e Prishtinë, Fushë-Kosovës dhe Obiliqit”.
“Projektet ku pritet të investohen janë trajtimi i ujërave të zeza, furnizimi me ujë të pijes, shëndetësia, arsimi, bujqësia etj, që janë në përputhje me prioritetet e Qeverisë të parapara me Program Qeverisës dhe Strategjinë Kombëtare për Zhvillim”, shtoi ministri Hoti.
Sa i përket miratimit të Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Garancisë për FSDK-Linja e Dytë Kreditore për Fondin për Sigurimin e Depozitave të Kosovës ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (MF), ministri Avdullah Hoti bëri të ditur se “Ministria e Financave në janar të këtij viti ka pranuar kërkesën nga Fondi për Sigurimin e Depozitave të Kosovës për emetimin e Granacionit të dytë shtetërorë për linjën e dytë kreditore në shumën prej 24 milionë euro, e ndarë në tri transhe: 14 milionë zotohen me rastin e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes Financiare, 6 milionë euro që bëhen efektive në vitin 2018 (me rastin e rritjes në nivelit të shumës së depozitës së siguruar nga 4,000 në 5,000 Euro), si dhe 4 milionë euro që bëhen efektive në vitin 2020 (me rastin e skadimit të Linjës së parë kreditore)”, shtoi Ministri Hoti.
Eralda Zito/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.