Le Pen kërcënon euron – Fitorja e saj mund të gjenerojë një zhvlerësim prej 5%

Në rast se Marine le Pen do të fitojë zgjedhjet presidenciale në Francë, atëherë me shumë gjasa monedha e përbashkët europiane do të zhvlerësohet menjëherë me rreth 5%, duke prekur nivelin më të ulët në 15 vite, si dhe duke u barazuar me dollarin.
Të paktën këtë tregojnë projeksionet më të fundit të ekspertëve dhe analistëve të tregut. Pas një rënie me rreth 3% gjatë vitit të kaluar, monedha e përbashkët ka fituar rreth 2% gjatë këtij viti. Por ekspertët janë të bindur se, këto fitime do të zerohen në harkun e 12 muajve të ardhshëm, si pasojë e një sërë faktorësh, por që lidhen ngushtë me valën e populizmit që ka goditur Europën.
Pavarësisht këtij paralajmërimi, sondazhet tregojnë se, do të jetë Emmanuel Macron presidenti i ardhshëm i Francës, i cili pritet të “shpartallojë” në raundin final rivalen e ekstremit të djathtë. Kjo e fundit ka premtuar mbajtjen e një referendumi për daljen e Francës nga Eurozona në rast të një fitore në zgjedhjet e 7 Majit.
Pikërisht ky premtim, gjeneron edhe këto projeksione sa i përket të ardhmes së monedhës së përbashkët europiane.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.