Le Pen “siguron” investitorët: Pas Frexit, pak gjasa që franga të zhvlerësohet

Kandidatja franceze në garën presidenciale, Marine Le Pen, siguroi investitorët se dalja e Francës nga Eurozona nuk do të ketë pasoja. Le Pen, që përfaqëson ekstremin e djathtë ka premtuar të nxjerrë Francën nga unioni monetar në rast se do të zgjidhet presidente, duke deklaruar se do ta zëvendësojë euron me frangën franceze.
Le Pen siguroi investitorët se, në një skenar të tillë, Franga franceze me shumë gjasa nuk do të zhvlerësohet. Sondazhet e fundit tregojnë se, Le Pen, do t`ia dalë për në raundin e dytë të zgjedhjeve, sëbashku me kandidatin e qendrës së majtë, Emmanuel Macron.
Ky i fundit është favoriti në garën presidenciale, pasi sondazhet tregojnë se, Le Pen do të pësonte një humbje dërrmuese në raundin e dytë të zgjedhjeve me Macron përballë.
Gjithsesi, premtimet e Le Pen flasin për mbajtjen e një referendumi për daljen nga Eurozona. Ajo deklaroi se, monedha është një problem për shkak të diferencave në konkurrueshmëri me Gjermaninë.
“Rikthimi i monedhave kombëtare do të lejonte secilin vend që rivendosë vlerën reale dhe kjo është ajo që do të ndodhë. A do të çonte kjo në një zhvlerësim të frangës? Me shumë gjasa jo”, nënvizoi Le Pen.
Ajo shtroi gjithashtu se, marka e re gjermane do të marshonte në një skenar të tillë, pasi euro është shumë e dobët për ekonominë gjermane.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.