Libra e Facebook/ Reagon Senati amerikan, plani është deluzional
Senatorët republikanë dhe demokratë kanë vënë në pikëpyetje planin e Facebook Inc. për të krijuar monedhën e tyre dixhitale, duke shtuar një kor të skepticizmit në Uashington dhe duke nënvizuar sfidat me të cilat përballet kompania në këtë projekt.
Senatorët e kanë krahasuar Facebook me fëmijën që luan me shkrepëse dhe djeg të gjithë shtëpinë.
“A mendoni me të vërtetë se njerëzit duhet t’i besojnë Facebook-ut dhe parave të tyre?”, pyeti senatori i Ohajos Sherrod Brown, demokrat në panelin bankar. “Unë mendoj se plani është deluzional.”
Kryetari i Komitetit të Bankingut të Senatit, Mike Crapo, një republikan nga Idaho, vlerësoi Facebook për përpjekjet për të ndërtuar një mënyrë më të shpejtë dhe më pak të shtrenjtë që konsumatorët të lëvizin para në botë, por tha se ishte i shqetësuar për arritjen dhe ndikimin masiv të kompanisë dhe informacionit personal që ajo mban.
Zemërimi i senatorëve nuk vjen si një surprizë për kompaninë, e cila është shtangur pas një serie të shkeljeve të privatësisë dhe pyetjeve rreth rolit të saj në përhapjen e lajmeve të rreme në fushatën presidenciale të 2016-ës. Ndër kritikët e planeve të saj për Libra janë Presidenti Donald Trump, shefi i tij i Thesarit Steven Mnuchin dhe Kryetari i Rezervës Federale Jerome Powell.
Autoritetet anembanë botës po përpiqen të kuptojnë se si të komandojnë fuqinë e monedhave virtuale, të cilat shpesh përdoren në pastrimin e parave dhe në aktivitete të tjera kriminale. Shtuar këtyre, Facebook njihet si një kompani jo shumë e besueshme kur vjen çështja për sigurimin e të dhënave personale të përdorueseve të saj. Si rrjedhojë, skepticizmi lidhur me projektin e ri të kompanisë, Libra, është i drejtë dhe do të jetë shumë i vështirë për t’u rrëzuar poshtë.
Burimi: Bloomberg
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.