Llogaria korrente e Eurozonës – Suficiti tkurret përsëri në Prill, në 3.2% në raport me PBB
Suficiti i llogarisë korrente të Eurozonës u tkurr në muajin Prill, ndërkohë që importet drejt bllokut të valutës së përbashkët janë rritur dhe suficiti i shërbimeve ka rënë, tregojnë të dhënat e Bankës Qendrore Europiane.
Suficiti u reduktua në 22.2 miliardë euro nga 35.7 miliardë që ishte një muaj më parë. Matur me bazë vjetore, suficiti ra në 3.2% në raport me Produktin e Brendshëm Bruto në muajin Prill, me një vlerë prej 349.9 miliardë euro, nga 358.6 miliardë apo 3.4% të PBB që ishte në të njëjtën periudhë një vit më parë.
Banka Qendrore Europiane ka deklaruar më parë se pret që suficiti i llogarisë të vazhdojë në rënie për këtë vit, pjesërisht prej çmimeve më të larta të lëndëve të para. Në llogarinë financiare, në muajin Prill me bazë vjetore, investimet direkte dhe të portofolit patën rritje prej 855 miliardë euro në aktive dhe 275 miliardë në pasive.
Stoku i rezervave i Eurosistemit ra në 719.6 miliardë euro nga 726.6 mld që ishte në muajin Mars. Kjo rënie erdhi kryesisht prej zhvillimeve negative në kursin e këmbimit (9.7mld) dhe prej shitjes së aktiveve të mbajtura rezervë (4.4 mld).
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.