Macron e ka seriozisht – Ulja e taksave dhe reformat fillojnë vitin tjetër
Qeveria franceze ka vendosur të avancojë me programin ekonomik, duke bërë gati shkurtimet e mëdha të taksave, si një ndër mjetet kryesore të rritjes ekonomike reale. Këto reforma janë themeli i mandatit të presidentit Macron.
Një javë më parë, kryeministri francez Edouard Philippe deklaroi se, disa nga këto reforma mund të presin. Duket se qeveria franceze, e sidomos Presidenti Macron, nuk ndajnë aspak të njëjtin mendim.
Konfirmimi se reformat do të fillojnë prej vitit të ardhshëm erdhi në të njëjtën ditë që në parlament filloi edhe debati për një ndër reformat kyçe, atë të punës.
Qeveria është duke studiuar disa zgjidhje të ndryshme për të ulur taksat duke filluar prej vitit të ardhshëm, sidomos taksën e pronës dhe atë mbi të pasurit.
Sipërmarrësit francezë ndërkohë kanë bërë së fundmi apel se, këto reforma nuk mund të presin. Nevoja për të ulur taksat është urgjente, vlerësojnë ata.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.