Macron triumfon – Merr edhe legjislativin, koha për reforma
Partia e Emmanuel Macron, “Republika në Lëvizje” ka fituar me një mazhorancë absolute zgjedhjet parlamentare në Francë, duke marrë 350 vende në parlamentin me 577 vende në total.
Më shumë se 50% e votuesve ndërkohë vendosën të mos votonin fare, duke vendosur një rekord historik.
“Fitorja e vërtetë nuk ishte natën e kaluar, por do të jetë pas 5 vitesh, kur ne të kemi ndryshuar realisht gjërat”, deklaroi zëdhënësi i partisë së Macron pas rezultatit të zgjedhjeve.
Republikanët, socialistët dhe Fronti Nacional i Marine Le Pen kanë dalë të poshtëruar nga këto zgjedhje, duke mos marrë dot as 200 mandate të treja sëbashku.
Kryetari i partisë socialiste dhe dorëheqjen, ndërkohë që fati i Marine Le Pen, parita e së cilës fitoi vetëm 8 vende në parlamentin e ri, mbetet në pikëpyetje.
Kryeministri Edouard Philippe, që u rekrutua pikërisht nga radhët e republikanëve, si dhe kabineti i tij qeveritar do të japin dorëheqjen, dhe do të zgjidhet një kabinet i ri.
Zëdhënësi i partisë së Macron deklaroi se, me shumë gjasa Philippe do të rizgjidhet kryeministër.
Pavarësisht se Macron i ka të gjitha mjetet për të çuar përpara reformat, norma e lartë e abstenimit tregon që ai do ta ketë të vështirë me reformën e punës, duke hasur kundërshtitë e sindikatave dhe unioneve të ndryshme.
Franca ka një histori të komplikuar protestash nga sindikatat, që kanë detyruar shumë qeveri të tërhiqen.
Bursat europiane kanë reaguar me eufori pas fitores së Macron. 5 indekset kryesore u regjistruan në rritje gjatë së Hënës, me Parisin që regjistron performancën më të mirë, me më shumë se 1% rritje.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.