Markat më të mira të makinave, Consumer Reports: Linja Genesis e Hyundai kalon rivalët gjermanë
Prodhuesi korean i makinave, Hyundai, ka mposhtur rivalët gjermanë, me linjën Genesis që u cilësuar si marka më e mirë e 2018-ës në Shtetet e Bashkuara, sipas revistës Consumer Reports.
Linja luksoze e Hyundai u rendit në vend të parë duke lënë Audi në të dytin, ndjekur nga BMW, Lexus dhe Porsche në pesëshen kryesore. Marka Genesis kishte vetëm 2 modele që u rishikuan nga revista, G80 G90 të tipit sedan, ndërsa Audi dhe BMW kishin secila nga 8.
Fitorja e Genesis reflekton përmirësimet e prodhuesve koreanë në vitet e fundit, që tërhoqën fillimisht me qëndrueshmëri dhe makina ekonomike, ndërsa tashmë po garojnë me karakteristika luksoze. Hyundai u rrit me 1.3% gjatë tregtisë aziatike, ndërsa Kia shtoi 0.9% në vlerë tregu.
Këto renditje publikohen çdo vit në revistën dhe influencojnë blerësit amerikanë. Consumer Reports është burim për rekomandimin e produkteve për shkak se nuk pranon reklamimin, i blen makinat që rendit dhe i vlerëson për testime në rrugë, cilësinë e interiorit, sigurinë dhe besueshmërinë.
Raporti, që mbulon 34 marka, përmbledh informacion nga çdo model individual që është provuar, si dhe nga rezultatet e sondazheve të ndërmarra. Sipas sondazheve, Tesla rezultoi marka amerikane me vlerësimin më të lartë, por jo në kategorinë e makinave elektrike, që u kryesua nga Chevrolet Bolt.
Toyota qëndroi përsëri marka më e zgjedhur, duke fituar katër kategori me modelet; Corolla, Camry, Highlander dhe Sienna. Toyota dominon te besueshmëria dhe merr pikë shtesë për karakteristika të sigurisë si frenimi emergjent automatik dhe paralajmërimet për përplasje, por çalon në testimin në rrugë dhe manovrim.
E kundërta ndodh për Ford dhe General Motors, ndërsa Audi shkëlqen si në performancë edhe në besueshmëri. Ndërkohë, Fiat, që ishte e fundit në listë për të dytin vit radhazi, përballet me sfida në të dy fushat.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.