Marrëdhënia Britani-BE pas Brexit – Barnier: Nuk do të ketë kurrë kompromis me tregun e përbashkët!
Negociatori kryesor europian për Brexit tha se Bashkimi Europian nuk do të bëjë kurrë kompromis mbi integritetin e tregut të përbashkët në marrëveshjen tregtare me Mbretërinë e Bashkuar. “Nuk do të ketë kompromis mbi tregun e përbashkët. Kurrë!”, tha Barnier duke shtuar se është mjeti kryesor i palës europiane. Tregu i përbashkët i Bashkimit Europian synon të garantojë lëvizjen e lirshme të mallrave, kapitalit, shërbimeve dhe punëtorëve brenda vendeve anëtare.
Me një popullsi të përbashkët prej mbi 500 milionë banorësh dhe konsumatorësh, vlera e anëtarësisë në tregun e përbashkët dhe lëvizja e lirë e mallrave dhe shërbimeve, përbën një nxitës të madh për bizneset në rajon. Kur Britania të dalë nga Bashkimi Europian më 31 Janar, vendi do të qëndrojë brenda tregut të përbashkët, deri sa periudha e tranzicionit të përfundojë në Dhjetor të këtij viti.
Gjatë asaj kohe, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Europian do të duhet të arrijnë një marrëveshje tregtare, pavarësisht se afati i shkurtër shihet si tejet ambicioz. Barnier tha se pasojat e daljes nga blloku tregtar nuk janë kuptuar mirë nga Mbretëria e Bashkuar. “Dalja nga Bashkimi Europian, dalja nga tregu i përbashkët dhe unioni doganor, është zgjedhja e Britanisë dhe do të ketë pasoja”, tha ai, duke shtuar se shumë prej këtyre pasojave janë nënvlerësuar apo nuk janë shpjeguar mirë tek njerëzit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.