Mos prisni rimbursim të biletave nga kompanitë ajrore! Ja cila është politika që do ndiqet
Turizmi, me në krye linjat ajrore ishin sektori që pësoi një dëm gjigand sa i përket gjendjes që krijoi pandemia e Covid-19, ku si për rrjedhojë kompanitë e fluturimeve duhet të rimburjsojnë biletat e anuluara.
“Këto kompani, sigurisht mund të ofrojnë edhe një kupon ose dhe një zgjidhje tjetër të propozuar por kjo është e pranueshme vetëm nëse klienti bie dakord, në të kundërt kompania duhet të rimbursojë për biletën.”– ka deklaruar Komisionerja e Transportit të BE, Adina Valean.
Ligji i BE-së kërkon që kompensimet të bëhen brenda shtatë ditëve. Legjislacioni, i cili daton në 2004, nuk përcakton një afat kohor për vlefshmërinë e kuponave të udhëtimit. Si pasojë e kësaj gjendjeje, kompanitë ajrore parashikohet të pësojnë një humbje deri në 61 miliardë dollarë në të gjithë botën në tremujorin e dytë, thotë Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror, me të ardhurat që tregojnë një rënie me 68%.
Air France-KLM dhe Transavia së bashku me të tjerët përfshirë TAP-in e Portugalisë “nuk po u japin klientëve të tyre një zgjedhje” dhe “pasagjeri rrezikon të pranojë një kupon nga një kompani që mund të falimentojë,” tha shoqata belge e konsumatorëve Test-Achats në një deklaratë. Ai tha se u ka dërguar këtyre kompanive një paralajmërim për të bërë ndryshime brenda tetë ditësh.
EasyJet Plc, si dhe Deutsche Lufthansa AG nuk përmendin mundësinë e një rimbursimi në faqen e tyre të internetit, tha Test-Achats, duke u kërkuar atyre që të sqarojnë politikat e tyre. Po ashtu, po i kërkon qeverisë belge të krijojë një garanci të veçantë për kuponat që do t’i inkurajonin udhëtarët t’i pranojnë ato.
Komisioneri i Drejtësisë të BE Didier Reynders, javën e kaluar tha se rregullatorët po punojnë me vendet e BE për një garanci në mënyrë që të inkurajojë konsumatorët të pranojnë kuponat. Pasagjerët duhet të kenë të drejtë të zgjedhin midis një rimbursimi të plotë ose një kuponi për të rinovuar.
Pasagjerët gjithashtu po ankohen se linjat ajrore po ofrojnë ri-rezervime të reja me afate “joreale” që do t’i shtyjnë ata të udhëtojnë këtë verë, e cila mund të mos jetë e mundur nëse virusi nuk është zhdukur deri atëherë. Dhe për këtë arsye, BE sipas Reynders, duhet të sigurojë që kuponët të jenë të vlefshëm për të paktën dy vjet.
Ndërkaq, Lufthansa po lejon pasagjerët të rishikojnë edhe njëherë datat për shtyrjen e fluturimeve të tyre, duke i dhënë kuponë në dispozicion, në mënyrë që të mos përballen me shumë anulime njëkohësisht.
Në të njëjtën mënyrë është duke operuar dhe kompania ajrore, EasyJet, e cila tha se klientët mund të kërkojnë një rimbursim përmes ndihmës ndaj klientit, ose të mund të ndryshojnë fluturimet në një datë të mëvonshme, edhe nëse fluturimi nuk ishte anuluar. Kjo kompani ka deklaruar se do të mund të shtyjë datat e fluturimeve deri më 28 shkurt të vitit të ardhshëm.
Transavia tha se po lëshonte kuponë për pasagjerë. Një kthim i drejtpërdrejtë “nuk është i mundur” sepse është një situatë e jashtëzakonshme që ka prekur jashtëzakonisht industrinë e udhëtimeve, tha zëdhënësja Claudia Metz.
Qeveria Hollandeze mbështet përdorimin e kuponëve “sepse pasagjeri ruan të drejtën e një rimbursimi të biletës, dhe shmang që kompanitë ajrore të përballen më vështirësi edhe më të mëdha financiare,” tha Ministri Hollandez i Infrastrukturës Cora van Nieuwenhuizen.
Drejtori i Përgjithshëm i IATA, Alexandre de Juniac, mbështet idenë e kuponave ndaj klientëve të cilët duan të rimbursim për biletat e tyre, pasi vetëm në këtë formë linjat ajrore do të mund të mbijetojnë nga kjo krizë pa falimentuar si dhe ekonomia të mund të rimëkëmbet sa më shpejt.
Elefteria Zguri/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.