Nafta e nis javën në qëndrueshmëri / Investitorët presin takimin e OPEC+ në datën 1 korrik

Nafta po tregtohet e qëndrueshme në sesionin e parë të kësaj jave dhe po qëndron në nivelin më të lartë që nga tetori i vitit 2018. Investitorët janë në pritje të takimit të OPEC+, që zhvillohet më 1 korrik, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara dhe Irani nuk po arrijnë ende një marrëveshje mbi programin bërthamor të Teheranit zyrtar, që do të thotë se eksportet e këtij vendi do të vonojnë. Nafta Brent e Londrës po tregtohet pranë 76 dollarëve për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 74 dollarë për fuçi. Ndërkohë, dy bençmarkët kryesorë publikuan fitime për të pestën javë me radhë, për shkak të rimëkëmbjes së shpejtë të kërkesës, gjatë sezonit veror. Grupi i vendeve prodhuese, që ndryshe njihen si OPEC+, e kanë rritur prodhimin me 2.1 milionë fuçi që nga maji deri në korrik, si pjesë e planit për tu rikthyer gradualisht në normalitet. Në takimin e së enjtes, mund të vendoset një rritje tjetër e prodhimit, për shkak të rimëkëmbjes së shpejtë të kërkesës. Analistët parashikojnë se prodhimi do të rritet edhe me 500 mijë fuçi, duke filluar nga muaji gusht. Referuar të dhënave në SHBA, numri i puseve aktive u rrit me 13 njësi, gjatë qershorit, në rritje për të 11-in muaj me radhë.
Lidion Kulla – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.