Nafta me luhatje minimale – OPEC dhe IEA ofrojnë mbështetje për çmimet

Çmimet e naftës kanë ndryshuar shumë pak, gjatë sesionit të sotëm, pavarësisht se e nisën javën në rritje. Nafta Bruto amerikane, ndërkohë, u ngjit përkohësisht mbi nivelin e 50 dollarëve për fuçi, për shkak të rënies së aktivitetit të shpim-kërkimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Por, gjatë orëve të pasdites, nafta Bruto ra sërish poshtë 50 dollarëve për fuçi, për shkak të lajmeve kontradiktore që shoqërojnë këtë treg. Në njërën anë, vazhdon tensioni konstant i investitorëve, që ka të bëjë me Korenë e Veriut, dhe në anën tjetër Arabia Saudite deklaroi se do të rrisë çmimin e karburanteve që tregtohen në vend me rreth 80%.
Gjithsesi, nafta Bruto amerikane vazhdon të tregtohet pranë 50 dollarëve, që është niveli më i lartë në 3 muajt e fundit. Edhe nafta Brent e Londrës, që është bençmarku europian i naftës, u kthye në territor negativ, por megjithatë humbjet janë të kufizuara.
Nafta Brent vazhdon të tregtohet mbi 55 dollarë për fuçi, që është niveli më i lartë në 4 muajt e fundit. Analistët mendojnë se, raportet e OPEC dhe Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, që parashikojnë rritje të konsumit në 2017 dhe 2018 do të vazhdojnë të mbështesin çmimet.
Rafineritë e naftës në Gjirin e Meksikës dhe në Karaibe, që u goditën nga uraganet e fundit, po e rifillojnë punën gradualisht.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.