Nafta, në nivelin më të lartë në 6 vite / OPEC+ dështon të arrijë një marrëveshje mbi kuotat e prodhimit

Nafta Bruto amerikane është ngjitur në nivelin më të lartë në 6 vitet e fundit, gjatë sesionit të sotëm, pasi OPEC+ dështoi të arrinte një marrëveshje mbi kuotat e prodhimit. Emiratet e Bashkuara Arabe nuk ranë dakord me pikat e propozuara nga karteli.
Nafta është ngjitur në nivelin më të lartë në 6 vitet e fundit, në sesionin e sotëm, pasi bisedimet mes OPEC dhe aleatëve të tjerë u shtynë për një kohë të papërcaktuar, pasi grupi nuk arriti një marrëveshje mbi kuotat e prodhimit pas muajit gusht. Nafta bruto amerikane po tregtohet në rreth 76.5 dollarëve për fuçi, ndërsa në herët gjatë sesionit u rrit pranë 77 dollarëve, niveli më i lartë që nga nëntori i vitit 2014. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 77.3 dollarë për fuçi, niveli më i lartë që nga fundi i vitit 2018. Bisedimet mes vendeve të OPEC+ filluan të enjten e kaluar, por deri më tani nuk është arritur një marrëveshje mbi kuotat e prodhimit. Të premten grupi votoi për të rritur prodhimin me 400 mijë fuçi në ditë çdo muaj, nga gushti deri në dhjetor. Gjithashtu, vendet propozuan nge shtyrje të marrëveshjes për uljen e prodhimit deri në fund të vitit 2022. Por, Emiratet e Bashkuara Arabe i refuzuan këto propozime. “Për ne nuk ishte një marrëveshje e mirë”, deklaroi Ministri i Energjisë së Emirateve, Suhail Al Mazrouei. Për shkak të marrëveshjes së OPEC+ për të ulur prodhimin, çmimet e naftës janë rritur me rreth 50% gjatë këtij viti. Por tashmë paqartësitë janë të mëdha, pasi nëse nuk do të ketë një marrëveshje, çdo vend është i lirë të prodhojë sipas dëshirës.
Lidion Kulla – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.