Nafta, në rënie të lehtë – Pritet të publikojë fitime javore prej mbi 3%
Nafta po qëndron në rënie të lehtë në sesionin e sotëm, pas tre ditësh me radhë në rritje, por në mbyllje të tregtisë pritet të publikojnë fitimet më të mëdha javore që nga fillimi i korrikut. Çmimet janë mbështetur nga rënia e fortë e rezervave në SHBA dhe nga uragani në Florida. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 61 dollarë për fuçi, ndërsa gjatë kësaj jave është rritur me rreth 3%. Nafta Bruto amerikane po tregtohet pranë 56.6 dollarëve për fuçi dhe pritet të publikojë fitime javore prej mbi 4%.
Megjithatë, analistët shprehen se ngadalësimi i ekonomisë globale, kryesisht si pasojë e luftës tregtare SHBA-Kinë pritet të ushtrojë presion mbi çmimet. Gjithsesi, Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë sinjalizuar se do të rifillojnë bisedimet mbi tregtinë në muajin shtator, në një kohë që po afron data e tarifave shtesë ndaj produkteve kineze. Gjithashtu, afrimi i uraganit Dorian drejt Florida-s ka rritur shqetësimet se prodhimi i naftës në det mund të dëmtohet, nëse stuhia kalon në Gjirin e Meksikës gjatë fundjavës.
Sipas Qendrës Kombëtare të Uraganeve në SHBA, të dielën ky uragan do të bëhet shumë i rrezikshëm, i kategorisë 4. Muajin e kaluar, uragani Barry detyroi kompanitë të shkurtojnë prodhimin me 74%, duke rritur ndjeshëm çmimet e naftës. Më herët, Administrata për Informimin mbi Energjinë njoftoi se rezervat e naftës ranë me 10 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 23 gusht, ndërsa analistët parashikonin një rënie me 2 milionë fuçi.
Lidion Kulla/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.