Nafta rimëkëmbet në nisje të Javës – Arabia Saudite rrit çmimet e eksportit. Pezullohet pakti bërthamor i Iranit

Nafta është rritur në tregtinë e parë të Javës, pasi eksportuesi kryesor, Arabia Saudite, rriti çmimet për naftën bruto të shitur në Azi dhe Shtetet e Bashkuara, dhe ndërkohë që bisedimet indirekte mes SHBA dhe Iranit, për të rikthyer marrëveshjen bërthamore, erdhën në një ndalesë. Nafta brent e Londrës u rrit me 1.61 dollarë apo 2.3%, në 71.49 dollarë për fuçi, ndërsa nafta bruto amerikane shtoi 1.63 dollarë, apo 2.5% në 67.89 dollarë.
Në fundjavë, Arabia Saudite rriti çmimet zyrtare të shitjes të Janarit për naftën drejt Azisë dhe Shteteve të Bashkuara me 80 cent nga muaji i kaluar. Rritja e çmimit u zbatua pavarësisht vendimit të javës së kaluar nga Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës për të vazhduar rritjen mujore të prodhimit me 400,000 fuçi në ditë në Janar.
Çmimet morën mbështetje edhe nga zbehja e perspektivës së rritjes së eksporteve nga Irani, pasi marrëveshja mes SHBA dhe Iranit për të shpëtuar paktin bërthamor të vitit 2015, u pezullua. Irani bën të ditur se sfida kryesore është ngurrimi i SHBA për të hequr të gjithë sanksionet. Fuqitë perëndimore nga ana tjetër kanë vënë në dyshim gatishmërinë e Iranit për të shpëtuar marrëveshjen.
Të dy çmimet referencë në botë janë rimëkëmbur paksa, pasi ranë javën e kaluar për të gjashtën javë radhazi për të parën herë që prej Nëntorit 2018, prej shqetësimeve se varianti i ri Omicron i koronavirusit, do të ndikojë tek ekonomia botërore dhe kërkesa për naftë. Deri në ditën e Diel, Omicron ishte përhapur në thuajse 1/3 e shteteve amerikane. Fondi Monetar Ndërkombëtar bër itë ditur se mund të ulë projeksionet e ekonomisë botërore prej shfaqjes së variantit të ri.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.