Nafta rritet prej kërkesës së fortë – Inventarët në SHBA pësojnë rënie. Bisedimet me Iranin limitojnë rritjen

Nafta është rritur në sesionin e së Enjtes duke marrë vrull nga rënia e papritur e inventarëve të naftës bruto, ndërkohë që investitorët po presin rezultatin e bisedimeve bërthamore mes SHBA dhe Iranit, që mund të shtojë eksportet nga vendi në Lindjen e Mesme. Nafta brent, çmimi referencë në bursën e Londrës, u rrit me 0.4% në 91.89 dollarë për fuçi, ndërsa nafta bruto amerikane, shtoi 0.6% në 90.17 dollarë për fuçi. Rimëkëmbja e fortë e kërkesës nga pandemia e koronavirusit, ka tkurrur furnizimet botërore, me inventarët në qendrat kryesore që ndodhen në nivelet më të ulëta në shumë vite.
Inventarët e naftës bruto ranë me 4.8 milionë fuçi në javën që përfundoi më 4 Shkurt, në një total prej 410.4 milionë, që është niveli më i ulët i inventarëve tregtar që prej Tetorit 2018, sipas Administratës së Informacionit mbi Energjinë. Produktet amerikane të furnizuara, që është matësi më i mirë për kërkesën, arriti majën në 21.9 milionë fuçi në ditë në 4 javët e fundit, për shkak të aktivitetit të fortë ekonomik në vend. Megjithatë, investitorët po monitorojnë me kujdes rezultatin e bisedimeve mbi paktin bërthamor SHBA-Iran, që rinieën këtë javë.
Një marrëveshje mund të heqë sanksionet amerikane ndaj naftës së Iranit dhe zbusë ofertën e tkurrur në botë. Shtëpia e Bardhë i bëri presion publikisht Iranit që të risjellë marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 sa më shpejtë ,duke thënë se do të jetë e pamundur për t’iu rikthyer paktit nëse nuk arrihet një dakordësi brenda javëve.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.