Nafta vijon rritjen – Arabia Saudite pezullon tranzitin në Detin e Kuq
Çmimet e naftës po qendrojnë në rritje gjatë sesionit të sotëm, duke zgjeruar fitimet për të tretën ditë me radhë. Nafta po mbështetet nga vendimi i Arabisë Saudite për të pezulluar transportin përmes linjës strategjike në Detin e Kuq dhe nga të dhënat në SHBA, që treguan një rënie të rezervave në nivelin më të ulët në 3 vite e gjysëm. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 74.4 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 69.3 dollarë për fuçi.
Të dy bençmarkët fituan rreth 1% të vlerës në sesionin e kaluar. Arabia Saudite, që është eksportuesi më i madh i naftës në botë, deklaroi se kishte ndaluar përkohësisht të gjitha dërgesat e naftës nëpërmjet rrugës strategjike në Detin e Kuq, pas një sulmi në dy tankera nga lëvizja Houthi që operon në Jemen, por që dyshohet se është e lidhur me Iranin. Ministri i Energjisë në Arabinë Saudite, Khalid al-Falih, e konfirmoi këtë lajm. Rreth 4.8 milionë fuçi naftë në ditë, bruto dhe e përpunuar, kalojnë nëpërmjet kësaj rruge drejt Europës, Shteteve të Bashkuara dhe Azisë, referuar të dhënave të Administratës Amerikanë të Energjisë.
Gjithashtu, çmimet u mbështetën nga të dhënat e publikuara në SHBA, që treguan një rënie të rezervave të naftës, gjatë javës së kaluar, në masë më të madhe se parashikimet e analistëve. Sipas Administratës për Informimin mbi Energjinë, rezervat e naftës bruto ranë me 6.1 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 20 korrik, kundrejt parashikimeve për një rënie prej 2.3 milionë fuçi. Rezervat ranë në 404.9 milionë fuçi, niveli më i ulët që nga shkurti i vitit 2015.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.