Nafta zgjeron fitimet – Tensioni SHBA-Iran vijon të mbështesë çmimet
Nafta po qëndron në rritje edhe gjatë ditës së sotme, dhe pritet të publikojë fitime javore prej rreth 9%. Çmimet vijojnë të mbështeten nga tensionet në Lindjen e Mesme, mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.Çmimet e naftës kanë zgjeruar fitimet edhe në sesionin e sotëm, për shkak të frikës për sulme ushtarake të Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit, që mund të çrregullojë furnizimin e tregut global nga Lindja e Mesme, që përfaqëson rreth 20% të prodhimit në botë. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 65.4 dollarë për fuçi, ndërsa në sesionin e kaluar u rrit me 4.3%. Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 57.5 dollarë për fuçi, pas rritjes me 5.4% në sesionin e kaluar. Të dy bençmarkët kryesorë pritet të publikojnë fitime prej rreth 9% gjatë kësaj jave.
Ndërkohë, zyrtarët iranianë deklaruan për Reuters se kanë marrë një mesazh nga Presidenti amerikan, Donald Trump, përmes Omanit, i cili paralajmëronte se një sulm ndaj Iranit ishte shumë i afërt. Zyrtarët u shprehën se ishin përgjigjur duke thënë se çdo sulm i mundshëm do të kishte pasoja rajonale dhe ndërkombëtare. Ata u shprehën gjithashtu, se Lideri Suprem, Ali Khamenei ishte kundër bisedimeve. New York Times raportoi të ditën e sotme se, Presidenti Trump kishte miratuar sulmet ndaj Iranit, por më pas ishte tërhequr. Tensionet mes Teheranit dhe Uashingtonit është rritur ndjeshëm, pasi sanksionet ndaj Iranit kanë reduktuar ndjeshëm eksportet e naftës.
Ndërkohë, kërkesa vijon të përmirësohet, në linjë me rritjen e oreksit të investitorëve për asete me risk, pas vendimeve të Bankës Qendrore Europiane dhe Rezervës Federale, që sinjalizuan ulje të normave të interesit. Në rritjen e çmimeve të naftës ka ndikuar edhe dobësimi i dollarit amerikan, gjatë dy sesioneve të fundit.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.