Nafta zgjeron fitimet – Tregtohet pranë nivelit më të lartë për 2019
Çmimet e naftës po qendrojnë në rritje në sesionin e sotëm, duke u ngjitur sërish pranë nivelit më të lartë për këtë vit. Çmimet vijojnë të mbështeten nga marrëveshja e OPEC dhe Rusisë për të ulur prodhimin. Gjithashtu, edhe sanksionet amerikane ndaj Iranit dhe Venezuelës po mbështetin çmimet. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 68 dollarë për fuçi, niveli më i lartë që nga 16 nëntori. Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 59.4 dollarë për fuçi, duke prekur nivelin më të lartë që nga 12 nëntori.
Në Kinë, ndërkohë, nafta Bruto e Shanghait, që filloi tregtimin në mars të vitit të kaluar, u rrit me 4.5% në 468.2 juan ose 69.7 dollarë për fuçi. Të hënën, OPEC njoftoi se do të anulojë takimin e prillit, që do të thotë se marrëveshja për uljen e prodhimit do të jetë në fuqi deri në muajin qershor. Sipas tregtarëve, ndërkohë, çmimet po gjejnë një mbështetje konstante nga sanksionet amerikane ndaj Venezuelës dhe Iranit.
Në anën tjetër, investitorët janë të fokusuar edhe te prodhimi në SHBA, që është rritur me rreth 2 milionë fuçi që nga fillimi i vitit 2018 dhe aktualisht gjendet në 12 milionë fuçi në ditë, duke lënë pas Rusinë dhe Arabinë Saudite. Investitorët janë në pritje edhe të të dhënave mbi rezervat e naftës për javën e kaluar në SHBA, që do të publikohen të mërkurën nga Administrata për Informimin mbi Energjinë.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.