Plaçkitja e Parisit të pasur – Le Maire: Kostot e protestave arrijnë në 170 milionë euro
Ministri francez i Financave, Bruno Le Maire, tha se kosto e dëmeve të shkaktuara nga protestat e “jelekëve të verdhë” kalon 170 milionë euro. Ministri shtoi se shifra nuk përfshin pretendimet ndaj siguruesve për plaçkitjet në bulevardin Champs Elysees fundjavën e kaluar.
“Pretendimet ndaj siguruesve arrijnë në 170 milionë euro. Janë bërë 10,000 kërkesa për kompensim, nga të cilat 6,000 janë për vetura dhe 4,000 për biznese, pa përfshirë dëmin e ditës së Shtunë. Kostot ekonomike janë të mëdha dhe kjo po dëmton imazhin e vendit tonë.”
Protestat kundër Qeverisë së Emmanuel Macron kanë treguar se francezët kërkojnë më pak pabarazi mes Parisit dhe qyteteve më të varfëra të vendi, si dhe mes të pasurve dhe të varfërve në përgjithësi. Kjo është arsyeja se pse dhuna ka shënjestruar bulevardin Champs Elysees, që është simboli i një Parisi të pasur dhe borgjez, që qytetarët e varfër të provincave nuk e durojnë dot.
“Kjo dhunë duhet të ndalojë menjëherë. Kjo është kërkesa e pronarëve të dyqaneve, artizanëve dhe të gjithë ekonomisë.”
Gjatë të Shtunës së 18 të protestave kundër Emmanuel Macron dhe politikave të tij, “jelekët e verdhë” sulmuan lagjen që zgjatet nga Harku i Triumfit, duke plaçkitur banka, restorante, djegur kioska të gazetave dhe dyqane luksozë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.