Nëntori “apokaliptik” për ASOS – Kompania e shitjeve online ka pësuar rënie të frikshme në vlerën e aksioneve

Kompania e shitjeve online të veshjeve, Asos, është duke kaluar momentin e saj më të keq të viteve të fundit. Pavarësisht që midis shtatorit dhe nëntorit, kompania pati një rritje të shitjeve me 14%, të hënën, pësoi një rënie me 40% të vlerës së aksioneve duke fshirë nga tregu një shumë prej 1,8 miliardë dollarësh.
Rënie të thellë pati edhe në rritja vjetore, pasi në muajin gusht të këtij viti, ishte parashikuar që rritja vjetore të kapte vlerën 20-25 %. Mirëpo, kompanisë iu desh të ulte pritshmëritë në vlerën 15%.
Ky ndryshim shihet si një kthesë e madhe për një kompani që vitet e fundit është rritur shpejt duke konkurruar dhe me marka të njohura si Marks and Spencer. Sipas përfaqësuesve të kompanisë, këto rënie të vlerave vinë si pasojë e asaj çfarë po ndodh aktualisht në Europë.
Në Francë protestat që vazhdojnë prej pesë javësh, arritën të dëmtonin numrin e shitjeve gjatë fushatave të uljeve. Ndërsa në Britani, procesi Brexit ka shkaktuar një pasiguri të madhe midis konsumatorëve duke u reflektuar kështu edhe në fitimet e kompanisë. Përfaqësues nga Asos kanë shprehur se nëse gjendja nuk ndryshon brenda muajit dhjetor, atëherë pasojat do të jenë akoma dhe më të rënda.
Asos operon në më shumë se 230 vende dhe mban 37% të shitjeve në tregun e brendshëm.
Kompania tregton online produkte të markave të ndryshme me të cilat ka bërë marrëveshje ekskluzive, ose produkte të markave të tjera të njohura si Hugo Boss, Adidas dhe Calvin Klein.
Kjo rënie e papritur në vlerën e aksioneve vjen dhe si pasojë e agjentëve të cilët marrin aksione me qira me shpresën për ti blerë ata në një të ardhme, duke përfituar kështu nga diferenca në çmim.
Ergisa Bejkollari/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.