OBT ul projeksionet për tregtinë – Lufta tregtare Kinë-SHBA, faktori kryesor i ngadalësimit
Organizata Botërore e Tregtisë bëri të ditur në një raport se rritja e tregtisë do të pengohet nga pasiguri në 2019-ën. Organizata uli projeksionet për rritjen e tregtisë botërore këtë vit në 2.6% nga 3.7%, për shkak të pasigurive ekonomike. Raporti theksoi se në vitin 2018, tregtia pati një rritje me 3% për shkak të tensioneve mes 2 ekonomive më të mëdha në botë. Sipas drejtorit të Organizatës, Roberto Azevedo, nëse lufta tregtare përfundon, norma e rritjes mund të jetë më e madhe deri në vitin 2020.
“Sigurisht, ka faktorë të tjerë që përfshihen, por rritja e tensioneve tregtare janë deri më tani faktori më i madh. Pasiguritë nënkuptojnë ulje të investimeve dhe konsumit. Investimet, në veçanti, kanë ndikim të theksuar në tregti.”
Raporti hedh gjithashtu dritë mbi shkakun e ngadalësimit të tregtisë në vitin 2018, ku përfshiheshin tarifat, luhatja e tregjeve financiar dhe tkurrja e politikave monetare në vendet e zhvilluara. Përveç kësaj, raporti thekson se në vitin 2018, volumi tregtar në shërbimet botërore tregtare u rrit me 8% në 5.8 trilionë dollarë, që është një sinjal pozitiv.
“Shërbimet përbëjnë të ardhmen e ekonomisë. Fakti që rritja në këtë sektor është e fortë, tregon se duhet të përqendrohemi këtu. Kjo shifër, prej 8%, është nxitur kryesisht nga rritja e fortë e importit në Azi. Kina pati një rritje me 12% të importit të shërbimeve tregtare.”
Drejtori i Organizatës theksoi gjithashtu se nëse neglizhohet sistemi tregtar i bazuar në rregulla, do të kishte ndikim negativ në punësim, rritje ekonomike dhe qëndrueshmërinë në të gjithë botën.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.